Policia e Pogradecit ka vënë në pranga një 38 vjeçar dhe ka shpallur në kërkim vëllain e tij, të cilët u kapën duke transportuar dru në mënyrë të paligjshme.
Policia e Pogradecit po ashtu ka vënë në pranga dhe një 40 vjeçar, i cili theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Nga ana tjetër një 28 vjeçar u procedua penalisht pasi tentoi të korruptonte policët në doganën e Kapshticës, duke vendosur 25 euro në pasaportë, ne qëllim shmangien e gjobës pasi kishte kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.
Njoftimi:
Qarku Korçë
Vihen në pranga 2 shtetas, shpallet në kërkim 1 dhe procedohet penalisht 1 tjetër për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. M., 38 vjeç dhe shpallën në kërkim vëllain e tij shtetasin N. M., 40 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, pasi në rrugën Trebinjë-Vërdovë, shërbimet e policisë kanë konstatuar shtetasin S. M., duke transportuar me një mjet tip kamion në pronësi të vëllait të tij, 8 m³ dru të llojit ah, sasi për të cilën posedonte një faturë të dyshuar si të falsifikuar. Nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasi S. M., ishte i pasiguruar në organet tatimore.
————-
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. J., 40 vjeç, banues në fshatin Blacë, Pogradec, pasi ky shtetas u kap nga shërbimet e policisë në lagjen nr. 1, Pogradec, duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec.
‐————
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, gjatë përpunimit të dokumentacionit të qytetarëve, kanë konstatuar se shtetasi B. M., 28 vjeç, banues në Hamallaj, Durrës, në brendësi të pasaportës së tij kishte vendosur 25 euro, me qëllim shmangien nga masa administrative pasi kishte kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.
Në përfundim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, filluan procedimin penal për shtetasin B. M., për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec e Korçë për veprime të mëtejshme.
(E.H/Faxweb.al)
…
/faxweb
