Skip to content

Ukrania e kërkon për tradhëti, ish-presidenti Janukoviç shfaqet në Moskë duke ndjekur Botërorin

Ish-presidenti ukrainas Viktor Janukoviç, i cili është “person në kërkim” në vendin e tij me akuzën e “tradhëtisë”, është parë në tribunën VIP në stadiumin Luzhnik të Moskës duke ndjekur një prej ndeshjeve të Botërorit ku luante Rusia.

Kjo është thënë nga e përditshmja ruse Kommersant, ku shtohet gjithashtu se aty kanë qenë dhe kryeministri Medvedev, Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino, Mbreti Felipe VI i Spanjës, zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov dhe zyrtarë të tjerë të lartë rusë.

Janukoviç dhe regjimi i tij ndezën protesta masive kur hoqi dorë nga një marrëveshje asociimi me Bashkimin Evropian dhe më pas u arratis në Rusi në fillim të vitit 2014.

Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina pak pas kësaj dhe Kievi po lufton separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore që nga ajo kohë.

Janukoviç është në gjyq në mungesë në Kiev, akuzuar për tradhti të lartë dhe shkelje të integritetit territorial të Ukrainës.