Skip to content

Tragjedia në Tetovë, Ministri i Shëndetësisë: 10 viktima janë konfirmuar, numri mund të rritet

Pas disa minutash në një mbledhje urgjente ku morën pjesë kryeministri e zyrtarë të tjerë të lartë, në përfundim të takimit nuk u bë publik numri zyrtar i personave që humbën jetën prej flakëve që kapluan spitalin modular të Tetovës në mbrëmje.

“Nuk do të ketë deklarata, derisa nuk ka asgjë të konfirmuar”-tha shkurtimisht kryeministri i Maqedonisë së Veriut.

I vetmi që ka dhënë një numër të viktimave ka qenë Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, i cili përmes rrjetit social njoftoi se deri më tani janë konfirmuar 10 të pajetë, porse numri i viktimave mund të rritet.

“Në Tetovë ka ndodhur një fatkeqësi që ka marrë shumë jetë. Për momentin janë konfirmuar dhjetë të vdekur nga zjarri, por numri mund të rritet”-shkroi Filipçe.

Në përfundim të mbledhjes, kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi po ashtu nuk preferoi të flasë për numrin e viktimave, derisa ende vijon puna e organeve kompetente.

“Derisa të kryejë punën prokurori shtetëror, nuk do të ketë deklaratë tjerër. Institucionet po bëjnë punën e ndaj nuk mund të flitet për shkakun. Deklaratat do të bëhen pasi të kenë dalë informacionet zyrtare. Unë nuk mund të spekuloj me numrat, se është akoma më e dhimbshme të them një numër të pasaktë.”-tha kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Në mediat vendase është folur për një numër prej të paktën 15 viktimash, ndërsa ka patur edhe një sërë personash të lënduar rëndë nga zjarri.

Ende mbetet mister se kush ka qenë shkaku i zjarrit. Në mediat lokale flitet për një shpërthim që mund të ketë ardhur nga ndonjë bombul oksigjeni, e cila më tutje ka ndezur flakët në të gjithë spitalin modular.

Për zbardhjen e kësaj tragjedie e shkakut që solli zjarrin, janë angazhuar 5 prokurorë

“Prokuroria Publike Themelore Tetovë po kryen ekspertizë në vendin e ngjarjes në spitalin modular Kovid në Tetovë, ku sonte shpërtheu zjarr në të cilin ka viktima dhe numri po konfirmohet. Në ekspertizë janë përfshirë tre prokurorë nga Prokuroria Themelore Publike Tetovë, të cilëve u janë bashkuar dy prokurorë publikë nga Prokuroria Publike e Shkupit. Ekipi prej pesë prokurorëve, bashkë me ekipet të institucioneve përkatëse, i ndërmarrin të gjitha aktivitetet në drejtim të vërtetimit të shkaqeve për zjarrin e shkaktuar”, thanë nga Prokuroria Publike