Skip to content

Rregullat e reja anti-Covid bllokojnë shqiptarët në kufi, reagon KMLDNJ: Kosova dhe Shqipëria duhet të gjejnë zgjidhje!

Vendosja e masave anti-Covid në kufi nga Shqipëria dhe Kosova i ka bërë të pashmangshme pritjet dhe kolonat e gjata në të dyja anët e kufirit të përbashkët.

Masat anti-Covid po ngadalësojnë gjithashtu edhe lëvizjen mes dy vendeve. Kolonat për të hyrë në Shqipëri po krijohen kryesisht gjatë paraditeve që arrin deri në 12 km në thellësi të territorit të Kosovës. Ndërsa për të hyrë në Kosovë kolonat më të gjata krijohen gjatë orëve të mbrëmjes.

Sakaq nga ora 14:00 deri në 18:00 pritjet për të hyrë në Shqipëri janë më pak. Ndërkohë Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë ka reaguar për kolonat e gjata që po krijohen në pikëkalimin kryesor kufitare të Kosovës me Shqipërinë.

KMLDNJ ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të gjejnë zgjidhje për problemin e krijuar në kufi nga masat e vendosura për parandalimin e pandemisë.

“Në pikëkalimin Kosovë-Shqipëri më parë ishte vendosur një rregull sidomos gjatë sezonit turistik që të mos ketë pritje të gjata e që funksionoi për mrekulli deri në kohën kur Kosova, për shkak të eskalimit të pandemisë të shkaktuar nga COVID-19 vendosi masa kufizuese për shtetasit e Shqipërisë që duan të hyjnë në Kosovë. Në momentin e vendosjes së masave kufizuese Kosova i vendosi këto masa në mënyrë të njëanshme duke e shkelur parimin e reciprocitetit që shkaktoi pakënaqësi te shtetasit e Shqipërisë që fillimisht protestuan e pastaj filluan ta bllokojnë rrugën. Si përgjigje, Shqipëria i vendosi po të njëjtat masa për shtetasit nga Kosova e që shkaktuan tollovi dhe radhë të gjata në pikëkalimin kufitar në Morinë duke krijuar kolona të gjata disa kilometra si dhe orë të tëra të pritjes”.

KMDLNj-së i janë ankuar qytetarë të shumtë që kanë kërkuar që të ndërmerren masa urgjente të tejkalohet kjo gjendje.

KMDLNj shpreh pakënaqësi dhe konsideron se qeveria e Kosovës si dhe e Shqipërisë, me veprime të ngutshme kanë përgjegjësi për krijimin e një kaosin në këtë pikëkalim dhe se kanë dështuar në menaxhimin e situatës së krijuar”.“Është e kuptueshme që në situata të rralla, kryesisht për shkaqe teknike apo pengesave të krijuara për shkaqe atmosferike mund edhe të krijohen probleme në lëvizje të qytetarëve, por KMDLNj e kundërshton këtë kufizim të lirisë së lëvizjes si shkelje e të drejtave të njeriut e që tani thuaja është shndërruar në rregull në pikëkalimet kufitare me Serbinë e që tash po veprohet ngjashëm edhe me Shqipërinë”.

KMDLNj ka ftuar qeverinë e Kosovës dhe të Shqipërisë të gjejnë një zgjidhje në mënyrë që të mënjanohen pritjet e gjata, deri në 6-7 orë në pikëkalimin në Morinë dhe t’i kursejnë nga maltretimet shtetasit e të dy shteteve që për arsye të ndryshme janë të detyruar ta shfrytëzojnë këtë pikëkalim. Edhe më parë ka pasur kufizime për shkak të pandemisë, mirëpo situata ishte menaxhuar më mirë dhe nuk ka pasë pritje të gjata”,thuhet ne fund te reagimit te KMLDNJ-së.

Pritje pritet të ketë edhe në fundjavë, pasi të hënën e 13 shtatorit në Kosovë do të filloj procesi mësimor, duke i dhënë kështu fund pushimeve të gjata familjare.

/faxweb