Policia e Lushnjes ka arrestuar mbrëmjen e sotme babë e bir, Gramos Hoxha dhe Xhoi Hoxha, të cilët akuzohen se i mundësonin pasaporta të falsifikuara shtetasve nga vendet e treta.
Gjatë operacionit “Passport”, policia sekuestroi para nga Bangladeshi me vlerë 5600 euro, 11 pasaporta fallso, dokumenta të tjera të dyshuara të falsifikuara si edhe gjeti dy emigrantë të paligjshëm që strehoheshin në një apartament të marrë me qira nga dy personat në fjalë.
Njoftimi:
Lushnjë
Zbulohet një bazë e falsifikimit të dokumentave dhe strehimit të emigrantëve nga vendet e treta me qëllim kontrabandimin e tyre në një nga vendet e BE-së, kundrejt fitimit.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Passport”, zhvilluar nga Komisariati i Policisë Lushnjë në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Fier dhe Forcën e Posaçme “Shqiponjat”.
Strehonin klandestinë me qëllim trafikimin për në vendet e Bashkimit Europian dhe i pajisnin me dokumenta të dyshuara të falsifikuara, arrestohen në flagrancë dy shtetas.
Sekuestrohen 5600 euro, para që përdoren në Bangladesh, 11 pasaporta, dokumenta të tjera të dyshuara të falsifikuara, 6 aparate celularë, 1 laptop, 1 automjet.
Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, bazuar në informacionet e marra në rrugë policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Fier dhe Forca e Posacme “Shqiponja” finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Passport”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
G. H., 53 vjeç dhe Xh. H., 24 vjeç, (babë e bir), banues në Karbunarë, Lushnjë.
Këta shtetas, në lagjen “Kongresi”, Lushnjë, kishin marrë një banesë me qera, që shërbente si bazë për të strehuar klandestinë me qëllim trafikimin e tyre për në vendet e Bashkimit Europian duke i pajisur me pasaporta të dyshuara të falsifikuara.
Gjatë kontrollit të banesës, u gjetën dy shtetas të huaj si edhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 11 pasaporta, dokumenta të tjera të dyshuara të falsifikuara, 5600 euro, një sasi parash që përdoren në Bangladesh, 1 laptop, 6 aparate celularë dhe 1 automjet tip “Renault”.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme procedurale.
(E.H/Faxweb.al)
…
/faxweb
