Skip to content

Kina do të dhurojë 31 milionë ndihma për Afganistanin

Kina do ta ndihmojë Afganistanin e kontrolluar nga talebanët me ushqim, vaksina dhe barëra të tjera, në vlerë prej 31 milionë dollarësh, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Hua Chunyin, ka deklaruar se vendimi është marrë gjatë takimit të parë të ministrave të Jashtëm të shteteve fqinje të Afganistanit dhe se ndihma do të jetë “për përdorim emergjent për njerëzit në Afganistan”.

Ministri i jashtëm kinez, Wang Yi, po ashtu ka bërë të ditur se Kina do t’i japë Afganistanit 3 milionë doza të vaksinës anti-COVID në kontingjentin e parë. Nuk është bërë e ditur se kur do të dërgohen vaksinat në Afganistan.

Liderët kinezë vazhdimisht kanë deklaruar se Kina do t’i ndante vaksinat e saj anti-COVID me botën, e veçanërisht me shtetet me të hyra më të ulëta, ndërkohë që ishte premtuar se Afganistani do të ishte në mesin e këtyre shteteve.

Ministri Wang po ashtu ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj janë më së shumti të obliguara që t’i ndihmojnë njerëzit në Afganistan.