Policia e Fierit ka arrestuar pas 3 orësh ndjekje 31-vjeçarin Elton Metaj i cili vrau mbrëmjen e djeshme në pragun e shtëpisë së prindërve të saj, ish-bashkëshorten e tij, 23-vjeçaren Sabrina Bengaj. Policia deklaron se për kapjen e tij janë kryer 3 orë ndjekje në një zonë të pyllëzuar, dhe në momentin e arrestimit, Metajt i është gjetur dhe arma e krimit, dhe mjeti me të cilin ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Krimi i rëndë i ndodhur dje në fshatin Zhupaj është kronika e një ngjarje të paralajmëruar, pasi Metaj dhe më herët kishte marrë peng të renë, dhe kishte kërcënuar me armë familjen e saj.

Në vitin 2020 , Metaj e mbajti peng për më shumë se 5 orë bashkëshorten dhe familjen e saj në shtepinë e babait të kësaj të fundit dhe u desh nderhyrja e RENEA-s dhe FNSH-së për t’i liruar.

Më herët, në 22 shtator 2020, 31 vjecari nga Peshtan Bregasi, Elton Metaj u paraqit ne gjykaten e Fierit me akuzat “Armëmbajtja pa leje” , “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Dhunë në familje”.

Gjithsesi, ai ishte liruar nga qelia, me pretendimin se kishte çrregullime mendore, kanë konfirmuar burimet për Fax News.

Në rrëfimin pas ngjarjes mbrëmjen e djeshme, vëllai i viktimës tha se Eltoni kishte shkuar në banesën e tyre dhe e kishte qëlluar të motrën në pragun e shtëpisë. Ai hodhi akuza mbi shtetin dhe gjykatat për lirimin e tij, ndërkohë që tronditja është e madhe. (Lexo edhe ketu lajmin)

Eltoni dhe Sabrina janë prindër të një vajze të mitur, që sipas familjarëve të viktimës nuk ishte ndaluar që të takonte të atin e saj, pavarësisht dhunës dhe problemeve që ai kishte shfaqur.

Njoftimi i policisë: 

Kapet në kohë rekord dhe arrestohet nga Policia autori i vrasjes së ish-bashkëshortes në fshatin Zhupan mbrëmjen e djeshme.

Pas 3 orë ndjekjesh në kushte të vështira për shkak të errësirës dhe rrezikshmërisë që kishte ky person pasi ishte i armatosur, u kap nga Policia në një zonë të pyllëzuar në fshatin Peshtan autori bashkë me armën e krimit.

Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Zhupan, në banesën e ish-vjehrrit, shtetasi Elton Metaj ka vrarë me armë zjarri ish-bashkëshorten e tij, shtetasen S. B., menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë dhe organizuan punën për kapjen e autorit i cili ishte larguar nga vendngjarja me një motomjet.

Pas 3 orësh ndjekje, nga strukturat e DVP Fier, Forca Operacionale, Forca e Posacme “Shqiponja”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier në bashkëpunim dhe me 2 grupe të FNSH Fier, falë veprimeve të shpejta, të mirëorganizuara dhe profesionale, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e autorit në një zonë të pyllëzuar të fshatit Peshtan, bashkë me armën e krimit automatik dhe motomjetin me të cilin u largua nga vendngjarja të cilat u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve, specialistët për  Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” shtetasin Elton Metaj, 31 vjeç, banues në Peshtan( i dënuar më parë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” , “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Dhunë në familje” ).

Materialet do i kalojnë prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re