Deputeti i PD, Tritan Shehu ka komentuar vendimin e kreut të PD-së Lulzim Basha, për përjashtimin e Sali Berishës, nga grupi parlamentar i PD.
I ftuar në “News 24”, Shehu u shpreh se vendimi nuk duhej të merrej individualisht, por i konsultuar me Këshillin Kombëtar, teksa shtoi se SHBA nuk kërkon të shkelet Kushtetuta dhe Statuti.
“Ai ka të gjitha atributet legale për të qenë pjesë e PD dhe Kuvendit. Janë disa gjëra që duhen respektuar sepse lidhen me realitetin, mbështetjen e elektoratit. Unë këto konsiderata i kam thënë. Kjo është demokracia. Ajo që mua realisht, unë e thash dhe atë ditë në PD, që më ka zemëruar, është mosrespektimi i forumeve demokratike dhe vendosja e një vendimi madhor, që ka të bëjë dhe me personalitetin më të madh të PD, me historinë e PD, ka të bëjë me të gjithë ne, jo me një njeri të vetëm. Është një vendim i rëndësishëm që duhet të merret duke respektuar rregullat e PD. Janë vendime që nuk merren nga një person.
SHBA-të nuk kërkojnë të shkelen Kushtetutat, statuti, pra mendoj që gjëra më e mirë është që të respektojmë rregullat e lojës, transparencës. Unë mendoj që ky është problem i madh që ka ndodhur dhe e ka vendosur në pozitë të vështirë PD. Partia Demokratike s’është pronë e kryetarit, është parti e madhe. Pra një parti e tillë nuk mund të vihet përballë faktit të kryer për një çështje të rëndësishme.”-tha Shehu.
