Skip to content

Çim Peka: Basha eleminoi Berishën dhe Metën njëkohësisht, por i ka bërë llogaritë gabim

Çim Peka thotë se Lulzim Basha nuk eleminoi vetëm Berishën, por edhe Ilir Metën.

Megjithatë, sipas tij, Basha i ka bërë llogaritë gabim, pasi me këtë veprim ka humbur 110 mijë vota të LSI-së dhe qindra mijëra vota të Berishës.

“Kur merr një vendim, duhet të bësh llogari elektorale.

Basha ka bërë dy marrëveshje në heshtje: eliminimin e Sali Berishës si zëri më i fortë opozitar dhe eliminimi i partisë së Ilir Metës.

Këtyre të fundit nuk u dha borxh deputetët për një grup parlamentar të LSI, duke hequr nga opozita 110 mijë vota.

Plus këtu janë qindra mijëra vota të Berishës. Basha ka vendosur të bëhet Rudina Hajdari. Aq sa e bënë amerikanët atë deputete, aq do bëhet ai kryeministër,” tha Peka.

Sipas tij, Basha nuk ka llogaritur ndryshimet mes liderit dhe misionarit.

“Ibrahim Rugova në Kosovë ishte misionar dhe misionari nuk shuhet. Ajo që nuk ka llogaritur Basha është se Sali Berisha ishte misionar i të bërit opozitë,” tha Peka.

“Basha është shantazhuar nga DASH kur dogji mandatet, por ai nuk u bind. Për zotin Berisha nuk ishte i lirë, kurse për djegien e mandateve tha se është i lirë për të marrë vendime,” tha Peka.

Ai tha se PD e ka dorëzuar vendimmarrjen në Ambasadën amerikane.

“Liria e një partie për të marrë vendime në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e saj. Basha nuk e ka marrë këtë vendim i lirë, bazuar mbi statutin, por e ka marrë mbi bazë të presionit nga SHBA. Pra ai ka vendosur ta drejtojë partinë jo si i lirë.

Kjo nuk është më parti, por një OJQ. Ajo vetëm pret projekte dhe premtime nga ambasadat. Nuk është më parti e lirë dhe një parti që nuk është e lirë, nuk mund të bëjë opozitë.

Deri në ditën kur Basha mori vendimin për përjashtimin e Berishës, ai tha se vendimet për PD i ka marrë vetë. Nga ajo ditë ai pranoi se vendimet në PD i merr Ambasada amerikane.

Në momentin që kryetari i PD tha se ka dorëzuar vendimmarrjen në Ambasadë, doli Sali Berisha dhe bëri deklaratat e tij. Vendimmarrja e opozitës është dorëzuar në Ambasadë. Ajo nuk është më e lirë,” tha Peka.