Ambasadorja Yuri Kim u takua me 15 prokurorët e SPAK për t’iu shprehur vlerësimin për punën e pa lodhur në ekip dhe ndjekjet penale të shumta të suksesshme. Në një postim në Twitter, Ambasada e SHBA në vendin tonë shprehet se “Është lajm i mirë për Shqipërinë që klasa e parë e hetuesve të BKH po iu bashkohet atyre në luftën kundër krimit dhe korrupsionit”.
“Klasa e BKH me 28 hetues të përkushtuar dhe të trajnuar mirë do të sigurojë ndërtimin e çështjeve të forta nga SPAK. Së bashku, ata do u japin përparësi dhe fokus çështjeve më të rëndësishme dhe do modelojnë pavarësi dhe përgjegjshmëri”.
“Së bashku, ata do të ndjekin penalisht dhe do bëjnë përgjegjës ata që dëmtojnë shqiptarët dhe pasurojnë vetveten përmes krimit të organizuar dhe korrupsionit. Askush nuk është mbi ligjin. Koha e pandëshkueshmërisë po merr fund”.
Të enjten në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadorja Kim tha se SHBA “deri tani, ka kontribuar më shumë se 4 milionë dollarë në trajnime dhe pajisje të BKH. Mbështetja më e madhe sigurisht është me ekspertizë dhe ka të paktën 2 ose 3 ish-agjentë të FBI-së, ekspertë të vërtetë që kanë përvojë dhe ekspertizë praktike, që janë këtu, të lidhur me ambasadën dhe po ndihmojnë hetuesit e rinj të FBI-së, që të zhvillojnë të njëjtat shprehi, që të mund të jenë agresivë, dhe që të jenë të aftë të kryejnë funksionet e tyre”.
