SPAK ka mbyllur hetimet për 9 të pandehur, që dyshohen se kanë trafikuar një sasi prej 6 ton kanabis nga Shqipëria drejt Italisë. Në krye të këtij grupi qëndron Ilirjan Duçelari, ndësa nga trafiku i lëndës narkotike është përfituar një shumë prej 55 milionë eurosh.
Tashmë SPAK vijon hetimin për 28 persona të tjerë që janë përfshirë në këtë rrjet rë trafikimit të lëndëve narkotike. Personave të përfshirë në këtë trafik u janë sekuestruar derimë tani një shumë prej 5 milionë euro pasuri.
Personat në fjalë janë vënë në pranga në kuadër të operacionit shpirti, ku u arrestuan dhe dy shoqëruesit e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri.
Ka qenë një i penduar i drejtësisë, ai që ka rrëfyer përpara prokurorëve italianë se si kreu i grupit kriminal shqiptar, Ilirjan Duçellari, arrinte të kalonte i qetë dhe i sigurt lëndën narkotike, si në rrugë tokësore, ashtu edhe në ato detare.
Ai tregon se Duçellari kishte mbështetjen edhe të Zëvendës Drejtorit të Policisë Vendore të Policisë Vlorë Ilirjan Balla, si dhe të Oficerit të Policisë të Drejtorisë së Kufirit & Migracionit Vlorë, Festim Lelaj.
Në këtë mënyrë, ai arrinte të garantonte një kalim të qetë të lëndës narkotike nga furgoni, me të cilin transportohej lënda narkotike në rrugë tokësore nga vendi ku ajo mbahej e fshehur për t’u ngarkuar në mjetin lundrues gomone dhe transportimin e saj nga brigjet shqiptare në drejtim të Italisë, me sigurinë që policia nuk do të tentonte ta bllokonte.
Të gjitha veprimet e lidhura me transportimin tokësor të lëndës narkotike, me ngarkimin e saj në mjetin lundrues dhe trafikimin e saj, kryheshin në praninë e dy punonjësve të policisë, të cilët garantonin kryerjen e trafikimit të lëndës narkotike për në Itali.
Njoftimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur kërkesën për gjykimin e çështjes penale të ndarë, nr.36/1, të vitit 2019, në ngarkim të të pandehurve I. D., A.K., K.(P.)B., O.D., J.B., R.M., R.M (tjetër shtetas ky), A.K., M.D, akuzuar se kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”; “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, mbetur në tentativë; “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet, 284/1, 28/4, 283/a/1 e 22, 28/4, 283/a/1, 28/4, 287/1 gërma “d”, 333/a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, gjatë hetimit janë dokumentuar disa episode trafikimi të lëndës narkotike të sekuestruar në Shqipëri dhe Itali, në një sasi prej 6 (gjashtë) ton lëndë narkotike e llojit cannabis sativa, marijuanë, kokainë, duke i hequr organizatave kriminale të ardhura të vlerësuara në mbi 55 milion Euro, për një sasi totale prej rreth 14 milion dozash nga shpërndarja me pakicë.
Në kuadër të këtij hetimi janë sekuestruar me qëllim konfiskimin e tyre, pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, subjekte tregtare, ambiente biznesi, në një vlerë rreth 5 (pesë) milion Euro.
Hetimet në lidhje me këtë procedim penal vazhdojnë për 28 persona të tjerë të arrestuar, si dhe për persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
…
/faxweb
