Lidhur me reformën zgjedhore PD ka një kërkesë që është hapja 100% e listave. Përfaqësuesi ligjor i demokratëve në kontestimin e zgjedhjeve të 25 prillit Marash Logu tha se po ashtu do të kërkohet që të ketë barazi të votës.

Përfaqësuesi ligjor i PD në Zona Zero në Top Channel tha se vota e qytetarëve po deformohet nga sistemi aktual.

Partia Demokratike do të kërkojë lista 100 për qind të hapura dhe këmbëngulë në barazinë e votës, ku të mos kemi që një parti me 35 mijë vota merr 3 mandate dhe një parti me 100 mijë vota merr katër mandate. Ky është deformim i sistemit”, tha ai.

Ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume që së bashku me aktorë të tjerë të shoqërisë civile ka ndërmarrë disa nisma për të korrigjuar sistemin zgjedhor dhe rikthyer të drejtën për referendum për qytetarët tha se në tryezën e radhës për reformën zgjedhore nuk duhet të ulet vetëm politika.

“Të gjitha palët të ulen, por të githa palët të ulen. Kur them të gjitha palët jo vetëm partitë politike por edhe shoqëria civile”, tha ai.

Ndërkohë, Marash Logu u shpreh se për Partinë Demokratike, 25 prilli nuk është një kapitull i mbyllur.

Partia Demokratike pritet që të ngrejë shumë shpejt një grup pune dhe do të dërgojë në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni për reformën zgjedhore.

“Do t’i çojmë shumë shpejt Kuvendit kërkesën për ngritjen, apo për vazhdimin e punës për reformën zgjedhore”, deklaroi kreu i PD, Lulzim Basha për mediat pas takimit me delegacionin e OSBE që hartoi raportin për zgjedhjet e 25 prillit.

Por, vetëm reforma zgjedhore, thotë Basha, nuk mjafton.

“Sepse regjimi me 25 prill dhe të gjitha muajt para 25 prillit dhe pas 25 Prillit deri në procesin e ankimimeve, shkeli dhe ato rregulla që kishte aprovuar vetë, ato që kishte aprovuar vetë, pa opozitën, pa Partinë Demokratike, pa aleatët tanë. Pra qartësisht në këtë vend nuk duhet thjeshtë një reformë zgjedhore, por duhet një shkundje e thellë në mënyrë që instrumentat e regjimit të mos funksionojnë më dhe vendi të kthehet në demokraci”, u shpreh Basha.

Dy mekanizmat kryesorë për të ecur drejt kësaj, tha Basha, është “t’iu japim shqiptarëve jo thjesht legjislacionin, pra Kodin Zgjedhor, Kodin Penal, ndryshime të tjera, ndryshime për të garantuar lirinë e medias, por edhe instrumentet që garantojnë që ky legjislacion do të zbatohet nuk do të mbetet në letër, se jam i bindur që ligje të mira ka edhe Lukashenko, por Shqipëria nuk mund të jetë dhe nuk mund të bëhet Bjellorusi”.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri tha se socialistët ishin gati për të diskutuar në lidhje me reformën zgjedhore. Ai foli pas një takimi me ambasadoren Urszula Gaçek.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste shprehu gatishmërinë e mazhorancës për t’u ulur në tryezë me opozitën me synim adresimin e të gjitha rekomandimeve të lëna nga raportet e OSBE/ODIHR-it, përfshirë nevojën për depolitizimin e administratës zgjedhore. Sipas tij, dialogu politik brenda institucioneve ka raste të shumta suksesi të kryerjes së reformave të rëndësishme bipartizane.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re