Skip to content

Shpejtësi mbi 160 km/h në autostradë, Policia Rrugore bën bilancin e 24 orëve të fundit: Shtatë të arrestuar dhe 1046 gjoba

Kontrollet për shkeljet e qarkullimit rrugor janë shtuar gjatë fundjavës. Në 24 orët e fundit, Policia Rrugore ka konstatuar shumë drejtues mjetesh të cilët kanë kaluar limitet e shpejtësisë mbi 161km/h në Rrogozhinë Kavajë dhe mbi 134 km/h në rrugën interurbane Tiranë-Elbasan.

Gjatë kësaj kohe janë arrestuar në flagrancë shtatë drejtues mjetesh, pesë për shpejtësi të lartë dhe dy nën efektin e alkoolit.

Janë pezulluar 39 leje drejtimi, nga të cilat 26 për shpejtësi dhe 13 nën efektin e alkoolit. Policia ka aplikuar 1046 gjoba për shoferët.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Masa të shtuara në fundjavë për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë. Në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet intensive për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve të automjeteve dhe motomjeteve që abuzojnë me rregullat e qarkullimit rrugor duke rrezikuar përfshirjen në ngjarje rrugore me pasoja për jetën.

Edhe gjatë 24 orëve të fundit, janë konstatuar përsëri shumë drejtues mjetesh, që kanë tejkaluar shpejtësinë më shumë se limiti i lejuar nga 134 km/h në rrugën interurbane Tiranë – Elbasan deri në 161 km/h në Rrogozhinë – Kavajë si dhe drejtues që kanë drejtuar mjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 7 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët, 5 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 2 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë pezulluar 39 leje drejtimi, nga të cilat 26 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 13 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Po si rezultat i kontrolleve dhe denoncimeve të adresuara nga qytetarët në Komisariatin Dixhital dhe në nr 112, janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 1046 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës, kryesisht për parakalime të gabuara, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, për mos vendosje të rripit të sigurimit apo kaskës mbrojtëse, për shpejtësi tej normave të lejura, por pa sanksionin plotësues atë të pezullimit të lejes së drejtimit.