Skip to content

Facebook, WhatsApp e Instagram, pse aplikacionet ndaluan së funksionuari

Shërbimet e medias sociale (Facebook, , WhatsApp e Instagram) i janë kthyer tashmë normalitetit, pas një defekti që mori mëse 6 orë kohë për të sjellë sërish ‘online’ aplikacionet.

Shërbimet u ‘rrëzuan’ nga ora 16:00 deri në orën 22:00 të ditës së djeshme. Kompania (Facebook) tha se “nuk ka asnjë të dhënë, se të dhënat e përdoruesve janë kompromentuar”.

Sheera Frenkel, gazetarja e teknologjisë në New York Times, u shpreh se një ndër arsyet se përse u desh kaq shumë që defekti të rregullohej, ishte fakti se “njerëzit përgjegjës për të zbuluar problemin, as nuk mund të hynin dot fizikisht në godinë”.

Në një deklaratë, Facebook u shpreh* se një konfigurim i gabuar preku mjetet e brendshme e sistemet e kompanisë, të cilat më tutje e komplikuan arritjen e një zgjidhje.

Sipas Downdetector, pati afro 10.6 milionë raportime për probleme në të gjithë botën. Gjithsesi numri real i njerëzve të prekur nga rënie e shërbimeve është më i lartë, kjo për faktin se këto aplikacione përdoren nga mëse 3.5 miliardë njerëz.

Shumë njerëz u ‘izoluan’ nga kontakti me familjarët e miqtë, ndërsa bizneset e vogla që punojnë përmes rrjetit social u përballën me një goditje të papritur.

Sipas Fortune, rënia e këtyre rrjeteve i kushtoi themeluesit të Facebook afërsisht 6 miliardë dollarë.

Burimi: BBC/ Përshtati Shqiptarët për Shqiptarët.info

*Në njoftim Facebook sqaroi: “Ekipet tona mësuan se ndryshimi në një konfigurim në ruterat kryesore, që koordinojnë të gjithë rrjetin e trafikut mes qendrave të të dhënave, shkaktuan probleme që ndërprenë komunikimin. Ky problem në trafikun e rrjetit pati një efekt kaskadë në mënyrën sesi qendrat tona të të dhënave komunikojnë, për pasojë duke ndaluar të shërbimet”