Një person u dënua në një gjykatë kanadeze me 18 muaj burg, për kundërshtimin e gjashtë urdhrave të gjykatës për të ndaluar komentet shpifëse për pronarin e restorantit Mohamad Fakih.
Kevin J. Johnston, kandidat për kryetar bashkie për qytetin Calgary të Albertës, u burgos nga gjykatësi Fred Myers për shkeljen e urdhrit të gjykatës të vitit 2019 për të ndaluar shpifjet ndaj Fakih, diçka që ai vazhdoi ta bënte edhe gjashtë herë pas urdhrit.
“Pothuajse të gjitha provat kundër Johnston vijnë nga goja e tij. Fjalët e Johnston janë gjuhë klasike e urrejtjes. Ato bazohen në përdorim figurativë për të caktuar karakteristika negative bazuar në stereotipet e shëmtuara, si për shembull etiketimi i muslimanëve si terroristë”, tha Myers në shqiptimin e dënimit.
Johnston, i cili gjithashtu e etiketoi Fakih si “terrorist” dhe “vrasës të foshnjave”, ishte urdhëruar në vitin 2019 të paguante 2,5 milionë dollarë për shpifjet ndaj pronarit të restorantit në një seri komentesh dhe videosh që Johnston postoi në faqen e tij në internet në 2017.
Johnston pretendoi se ishte viktimë e mediave liberale duke e etiketuar atë si të keq. Por Myers nuk i mori parasysh pretendimet e tij.
“Ai thotë se është pikturuar si një person i keq nga media liberale … Nëse portreti i zotit Johnston është pikturuar, ai e ka furnizuar me bojë”, tha Myers.
“Nëse gjykata është e pafuqishme të ndalojë sulmet e pamëshirshme, të tmerrshme, raciste kundër një njeriu si z.Fakih, atëherë si të pafuqishmit do të ndihen të mirëpritur ose të sigurt në Kanada?”, gjykatësi bëri një pyetje retorike.
Johnston u dënua gjithashtu në korrik për dy akuza për përbuzje duke kërkuar nga ndjekësit e tij të kundërshtojnë masat e shëndetit publik të vendosura për të luftuar koronavirusin e ri (COVID-19). Për këtë ai u dënua me 40 ditë burg. Ai pritej të vuante dënimin katër ditë pas zgjedhjeve të ardhshme të 18 tetorit në Calgary. Me një popullsi prej 1,33 milionë (2017), Calgary është qyteti më i madh në provincën perëndimore të Albertës.
Në Calgary, ata që janë dënuar për krime ende mund të kandidojnë për kryetar bashkie, njoftoi Korporata Kanadeze e Transmetimeve.
