Skip to content

“Rritja e çmimit të energjisë do të sillte uljen e arkëtimeve”, ekspertët të një mendje: në 6 muajt e parë prodhuam energji më shumë se vitin e kaluar, Rama po e përdor politikisht

Emisioni “Pushteti” është ndalur mbrëmjen e kësaj të marte në skenarët e krizës energjitike që u paralajmërua disa ditë më parë nga kryeministi Edi Rama. Gazetarja e Fax News Juela Meçani kishte një panel me ekspertë të ftuar, të cilët ranë në një mendje që Shqipëria e shet më lirë sesa e ble energjinë elektrike.

Kastriot Sulka dhe Majlind Lazimi ishin të një mendje, që Shqipëria ka qenë shumë mirë me prodhimin e energjisë elektrike në 6 muajt e parë të vitit, dhe thanë se situata po bëhet më shumë politike sesa duhet, pasi pasojat për vendin tonë nuk do të jenë edhe aq të rënda.

Kastriot Sulka: Ne sot që flasim jemi në kuotat normale të prodhimit të energjisë elektrike, i referohem të dhënave që ka INSTANT. Ne nuk prodhojmë asnjë kilovat energji nga gazi, që të nisemi se do të bjerë një meteor, dhe ai që do të bjerë do na prishë punë dhe në Shqipëri është tjetër gjë. Para se të vijmë te kjo, ka nja 10 vite që është vendosur diversifikimi i energjisë, mirë do të ishte që ta kishim.

Lorenc Gordani: Rritja e çmimit të energjisë është për shkak të rritjes së gazit, është hera e parë që kemi këto çmime sa i takon bursës. Ne kemi pasur një prodhim më të mirë të energjisë se viti i kaluar. Po importojmë më pak energji, vetëm se po e blejmë me çmim më të lartë. Reformat është më mirë që të mos i ndërmarrësh sesa ti lësh në mes. Deklarata e kryeministrit Edi Rama është një avancim i domosdoshëm drejt reformave se krizat mund të jenë të vazhdueshme.

Mirilda Tili: Mendoj se jemi në një krizë menaxhimi dhe jo në një krizë energjie. Ka shumë HEC-e të vegjël që e shesin më lirë energjinë te OSHEE që jashtë e ble më shtrenjtë. Energjia hidro është më e lira, pse të mos nënshkruhen kontratat më herët. Trendi i rritjes së çmimit është në të gjithë botën, edhe këtu do të gjenden artifica për të rritur çmimet.

Majlind Lazimi: Nuk do të ishte zgjidhje transferimi i kostos shtesë të energjisë te konsumatorët. Do të ishte një spirale që do të çonte në rritjen e çmimeve të tjera. Nga pikëpamja fiskale do të kishte një ulje të arkëtimeve, pasi kjo ka qenë dhe kali i betejës i Reformës energjitike. Do të kishte rritje të mëtejshme të varfërisë, imagjinoni çfarë efekti shtesë do të kishte pas situatës së pandemisë, është dhe në interesin e qeverisë që çmimet mos të rriten.

Ajo që ne dimë është se në 6 mujorin e parë kemi prodhuar më shumë energji sesa kemi konsumuar, ka një keqmenaxhim të administrimit të energjisë, kemi eksportuar me çmim të lirë. Kostoja e mungesës së energjisë është më e lartë se mungesa e saj. Është situatë afatshkurtër , të paktën për Shqipërinë, vetëm një i ftohtë ekstrem dhe një thatësirë shumë e madhe do të bënte që ne të dilnim sërish në tregjet ndërkombëtare për të blerë energji.

Për mua qeveria do të duhej të bënte një plan për atë që do të vijë në vijim. Kjo nuk ishte një stuhi në qiell të hapur, pasi ka prej muajsh që përflitet në vende të tjera. Unë besoj se nëse nisin reshjet është një lajm shumë i mirë, por nuk duhet ta flejmë mendjen.

/faxweb