Komisioni Evropian pritet që më 18 korrik të dalë me rekomandim për liberalizimin e vizave për Kosovën. Lidhur me këtë çështje, kryeparlamentari Kadri Veseli është shprehur optimist se rekomandimi do të jetë pozitiv.

“Qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj presin rekomandim pozitiv, për vetë faktin e progresit që është shënuar, dhe kushtet teknike që ishin për Kosovën janë plotësuar. Kemi sinjale që rekomandimi do të jetë pozitiv, sinjale pozitive nga miqtë dhe partnerët, të cilët i kam takuar edhe gjatë këtij rrugëtimi për liberalizimin”, ka thënë Veseli për Telegrafin.

Ndërkaq ka dhënë premtimin e vjetër se vizat  hiqen sivjet.

“Besojmë që në fund të vitit qytetarët tanë do të lëvizin lirshëm. Ne besojmë në Bashkimin Evropian. Ne jemi evropianë. Ne jemi perëndimorë”, ka thënë Veseli.

Ka folur edhe për lobimin me ç’rast ka pohuar se pas rekomandimit, do të vazhdojnë të lobojnë në shtetet evropiane, edhe pse kjo u kundërshtua nga LDK-ja por edhe përfaqësues të shoqërisë civile.

“Do të vazhdojmë edhe pas rekomandimit pozitiv, me kolegët e pozitës dhe opozitës, që të shkojmë bashkërisht në shtetet e BE-së, veç e veç, në të cilat ne mund të ndikojmë, që vendimmarrja e tyre të jetë pro Kosovës, që qytetarët tanë të kenë mundësinë për të lëvizur lirshëm. Liberalizimi i vizave është një mundësi për Kosovën, por edhe një mundësi për Bashkimin Evropian që të jetë më afër Kosovës”, ka deklaruar Veseli.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re