Skip to content

Azerbajxhani ka shkatërruar mbi 48 mijë mina dhe municione të pashpërthyera të vendosura nga Armenia

Azerbajxhani ka shkatërruar mbi 48 mijë mina dhe municione të pashpërthyera të vendosura nga Armenia në rajonet e çliruara nga pushtimi.

Bëhet ditur se vazhdojnë aktivitetet për pastrimin e minave që janë vendosur më parë nga forcat armene në rajonin e Karabakut dhe zonat përreth tyre që Azerbajxhani çliroi nga pushtimi i Armenisë.

Aktivitetet për pastrimin e minave zhvillohen nga Agjencia e Azerbajxhanit për Pastrimin e Minave (ANAMA) dhe njësitë e fortifikimit të Forcave të Armatosura të Azerbajxhanit. Në këto aktivitete ofrojnë kontribut edhe ekipet e Ministrisë së Situatave Emergjente, Komandës së Shërbimeve Kufitare si dhe njësitë e Pajisjeve Mekanike për Pastrimin e Minave (MEMATT) të Forcave të Armatosura të Turqisë (TSK).

Që nga 10 nëntori 2020 kur përfundoi Lufta e 2-të e Karabakut e deri më 15 tetor 2021 nga ekspertët për pastrimin e minave është skanuar një sipërfaqe prej 18.302 hektarë. Në zonat e skanuara janë përcaktuar dhe shkatërruar 17.426 mina kundër personelit dhe 8.755 mina anti-tank.

Kryetari i Bordit Drejtues të ANAMA, Vugar Suleimanov tha për AA se po vazhdojnë pa ndërprerë aktivitetet për pastrimin e minave në rajonet e çliruara nga pushtimi.

“Fillimisht janë kryer pastrime të minave në destinacione ku zhvillohen punime infrastrukturore dhe superstrukturore të tilla si autostrada, hekurudha, objekte dhe zona banimi”, tha Suleimanov i cili shtoi se “Nga 10 nëntori 2020 e deri më tani janë pastruar mbi 18 mijë hektarë ndërsa janë gjetur dhe shkatërruar mbi 48 mijë mina”.

Suleimanov theksoi se kanë rritur numrin e ekipeve për kërkimin e minave dhe kanë trajnuar persona që dëshirojnë të kryejnë këtë punë.

Duke bërë të ditur se janë vazhdimisht në kontakt me institucionet eksperte të Turqisë për pastrimin e minave, Suleimanov tha se kanë shkëmbyer përvojat me institucionet turke dhe se do të zhvillojnë edhe më shumë bashkëpunimin.

Minimi i territoreve nënkupton shkeljen në mënyrë të rëndë të normave dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare humanitare, përfshirë edhe Konventat e Gjenevës të vitit 1949.

Për shkak të minave që Armenia ka vendosur gjatë periudhës së pushtimit, kanë rënë dëshmorë 33 shtetas të Azerbajxhanit prej të cilëve 7 ushtarë dhe 26 civilë ndërsa janë plagosur 139 qytetarë.