Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në orën 20:40 në qytetin e Fierit, 15 të shtëna me armë kanë ‘terrorizuar’ ish zonën e një qendre tregtare, ku dy persona kanë qëlluar drejt mjetit tip “Audi” duke lënë të plagosur rëndë një person.
Bëhet fjalë për 57-vjeçarin Agim Baçka i cili posedonte një lokal dhe disa biznese te tjera në qytet.
Në zonën e quajtur “Rrethrrotullim i QTU_së”, bëhet me dije se nga një ‘Benz’ është qëlluar me kallashnikov dhe pistoletë ndaj Baçkës i cili pasi u dërgua në spital ka ndërruar jetë nga plagët e marra.
Pas atentatit ndaj biznesmenit në fshatin Daullas, policia e Fierit ka gjetur një makinë të shkrumbuar e cila dyshohet të jetë e autorëve të ngjarjes, të cilët sipas pistave të hetimit mund të jenë arratisur drejt Vlorës.
Mësohet se Agim Baçka identifikohej edhe si Demir Baçka dhe është vëllai i ish-anëtarit të bandës së Fierit i cili është vrarë në 1997-ën. Ai po ashtu është pronar i një lokali në qendër të Fierit ku edhe u vra si dhe pronar i një hoteli në Sarandë.
Fax News mëson se fisi Baçka, me origjinë nga Kosova e banim të hershëm në Fier janë mjaft të fuqishëm ekonomikisht në këtë qytet, të konsideruara ndër tre familjet më të pasura. Një vit më parë ka ndodhur një sherr me pasoja mes anëtarëve të këtij fisi dhe disa personave nga Tirana, për shkak se njëri nga këta të fundit kishte ngacmuar një mbesë të Baçkajve.
Familjarë shumë të afërt të 57 vjeçarit janë njohur si anëtar të bandave të 1997 në Fier ku ka pasur edhe viktima në radhët e tyre, përfshirë vëllain e Demirit. Demir Baçka njihej në Fier gjerësisht për shkak të historive nga e kaluara por edhe bizneseve të tij të cilat shtriheshin deri në zonat bregdetare në jug të vendit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Njoftimi i Policisë:
Fier/Informacion paraprak
Sot rreth orës 20:40, në vendin e quajtur “Rrethrrotullim i QTU_së”, dyshohet se nga një automjet tip “Benz” është qëlluar me armë zjarri shtetasi D. B. 57 vjeç, i cili ishte brenda automjetit të tij tip “Audi” dhe si pasojë e plagëve të mara ka ndërruar jetë në spitalin e Fierit.
Menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, Forca e Posacme “Shqiponja” dhe 2 grupe te FNSH kanë shkuar në vendngjarje dhe po krehin zonën për kapjen e autorit.
Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Fierit.
Në fshatin Daullas është gjetur e djegur një makinë tip “Benz” e cila dyshohet se është e autorëve të ngjarjes.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
(E.D/faxweb.al)
…
/faxweb
