Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë publike raportin e institutit ndërkombëtar “World Justice Project”, sipas të cilit Shqipëria renditet në vendin e fundit në Europë për shtetin e së drejtës.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Basha theksoi se me këto nivele korrupsioni që janë pasqyruar në raport, Shqipëria nuk ka asnjë mundësi të hapë negociatat me Bashkimin Europian, por vetëm me “unionin afrikan”, duke akuzuar Qeverinë Rama.
“Dhe kur vjen fjala te korrupsioni, një nga faktorët e matur nga “World Justice Project”, Shqipëria e drejtuar nga ju mban vendin e 105-të në botë, pra jo vetëm korrupsionin më të lartë në Europë dhe rajon, por na keni renditur pas Beninit, Egjiptit, që mbajnë vendin e 103-të dhe të 104 dhe ndiqemi nga Zambia dhe Mozambiku, të 106-tët dhe 107-tët.
Shikoni, është i vetmi europian në listë. Ky është pozicioni në të cilin meriton të jetë Shqipëria? Fryhet lartë e poshtë ekraneve, duke nanuritur se po bën shtet. Ky është shteti që ke bërë? Me këtë nivel korrupsioni, mund të hapësh negociatat me Unionin Afrikan, se në Bruksel, të 105-tët në botë për, nuk na pranon njëri”, u shpreh Basha.
