Skip to content

Gjykata e BE-së gjobit Poloninë me 1 milion euro në ditë

Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian ka vendosur që Polonia e cila prej disa kohësh përjeton mosmarrëveshje me BE-në për pavarësinë e gjyqësorit, të paguajë një gjobë prej 1 milion euro në ditë.

Gjykata e Drejtësisë e cila është gjykata më e lartë e BE-së, e mori këtë vendim pas kërkesës që Komisioni Evropian bëri muajin e kaluar për dhënien e një dënimi financiar ndaj Polonisë.

Në një deklaratë nga gjykata me qendër në Luksemburg thuhet se “Ky dënim është i nevojshëm në aspektin për të parandaluar dëmet serioze dhe të pariparueshme ndaj rregullit ligjor të BE-së, veçanërisht ndaj vlerave të mbisundimit të ligjit mbi të cilat është themeluar”.

Qeveria e Polonisë, kritikohet me akuzat për formimin e një mekanizmi disiplinor kundër gjyqtarëve nëpërmjet të cilit ka mundësuar “heshtjen” e gjyqtarëve dhe se ajo ka dëmtuar pavarësinë e gjyqësorit.

Gjykata e Drejtësisë së BE-së në muajin korrik mori vendim se mekanizmi disiplinor duhet të ndalet. Gjykata e BE-së gjobiti Poloninë me 1 milion euro në ditë me arsyen se nuk ka zbatuar këtë vendim.

BE-ja nuk ka miratuar fondet që do t’i jepen Polonisë

Kohët e fundit mes BE-së dhe Polonisë përjetohen mosmarrëveshje në çështje të tilla si pavarësia e gjyqësorit, mbisundimi i ligjit dhe nëse ligjet kombëtare janë apo jo mbi ligjin e BE-së.

Përveç mekanizmit disiplinor të Polonisë për gjyqtarët, çështje diskutimi është edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Polonisë se “ligjet kombëtare në disa fusha janë mbi ligjin e BE-së”. Teksa qeveria polake mbron vendimin e saj, institucionet e BE-së theksojnë se ligjet e BE-së janë mbi ligjet kombëtare.

KE-ja nuk e ka miratuar ende fondin prej 23.9 miliardë eurosh që do t’i japë Polonisë në kuadër të fondit të rimëkëmbjes i cili është përgatitur për vendet anëtare me qëllim për të luftuar me pasojat ekonomike të koronavirusit të ri (COVID-19).

Disa vende brenda BE-së, mbrojnë idenë se “për shkak të mekanizmit të kushtëzimit” nuk duhet të miratohet pjesa e fondit të rimëkëmbjes nga Unioni për Hungarinë e cila përjeton probleme të ngjashme si ato mes Polonisë dhe BE-së.