Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko tha se Turqia luan rol aktiv në nivel global dhe rajonal dhe se është i sigurt se Turqia në 100-vjetorin e Republikës do të arrijë suksese të reja në të gjitha drejtimet e përcaktuara nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan.
Në një deklaratë nga Presidenca e Bjellorusisë thuhet se Lukashenko personalisht dhe në emër të popullit bjellorus i ka uruar presidentit turk Erdoğan dhe popullit turk 29 Tetorin – Ditën e Republikës.
Ai vuri në dukje se Minsku u kushton rëndësi marrëdhënieve me Ankaranë bazuar në traditat e miqësisë dhe besimit reciprok. “Si për Bjellorusinë ashtu edhe për Turqinë, sovraniteti dhe pavarësia janë ndër prioritetet e palëkundura të strukturës shtetërore. Në realitetin modern është e rëndësishme që të bashkohen përpjekjet për të rezistuar në mënyrë efektive kundër vështirëve të pashembullta të kohës”, tha Lukashenko.
Presidenti bjellorus tërhoqi vëmendjen mbi zhvillimin dinamik të Turqisë. Duke iu drejtuar presidentit Erdoğan ai tha se “Turqia luan rol aktiv në nivel global dhe rajonal. Jam i sigurt se Turqia në vitin 2023 do të arrijë suksese të reja të lavdishme në të gjitha drejtimet e përcaktuara nën udhëheqjen tuaj”.
Sipas tij, bashkëpunimi mes Bjellorusisë dhe Turqisë përfshirë edhe zbatimin e marrëveshjes së arritur në prill 2019 në Ankara do të forcohet çdo vit dhe se do të rritet me suksese të reja në dobi të të dy popujve. Lukashenko më tej i uroi presidentit Erdoğan shëndet, sukses në punimet e tij, mirëqenie dhe paqe popullit turk.
