Një sasi e konsiderueshme droge është zbuluar nga policia në fshatin Nojë të Krujës, ndërsa është vënë në pranga kryeplaku Haxhi Murati, dhe është shpallur në kërkim një person tjetër i identifikuar si Bujar Sefa (Xaka).
Policia ka zbuluar një sasi prej 145 kilogramësh lëndë narkotike e cila ka qenë e fshehur në disa fuçi dhe e ndarë në pako, gati për shitje.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e dy personave, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi prej 145 kg lëndë narkotike cannabis sativa, gati për shitje, si dhe municion luftarak.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Noja”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni i zhvilluar nga strukturat e DVP Durrës dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me strukturat e SHÇBA-së.
Sekuestrohet një sasi prej 145 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe municion luftarak.
Arrestohet në flagrancë kryeplaku i fshatit Nojë, shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër.
Strukturat e DVP Durrës dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me strukturat e SHÇBA-së, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, mirorganizuan punën dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Noja”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
H. M., 66 vjeç, banues në fshatin Nojë, Krujë, me detyrë kryeplak i fshatit Nojë, për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit B. S.(X)., 34 vjeç, banues në Nojë, Krujë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi prej 145 kg lëndë narkotike cannabis sativa, gati për shitje, si dhe municion luftarak.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.
Lexo edhe lajmin:
I shpëtoi arrestimit në Krujë, kush është Bujar Sefa, koka e grupit të drogës i dënuar në Itali. Vëllai i tij pjesë e bandës së…
(E.K/Faxweb.al)
…
/faxweb
