Skip to content

Fara “Ozgan” iu doli dështim, fermerët e kutallisë hedhin tonelata me domate të kalbura, dëm miliona lekë

Tonelata me domate janë kalbur në serat e fermerëve të ish/njësisë Administrative Kutalli në bashkinë Dimal. Siç shihet edhe nga pamjet filmike të siguruara nga Fax News, domatet janë të përhapura në të gjithë sipërfaqen e serave, të gjitha të kalbura e të papjekura.

Jo vetëm i gjithë prodhimi i sivjetshëm i domates ka shkuar dëm dhe është hedhur poshtë por në kanal ka përfunduar edhe mundi si dhe shpenzimet financiare me miliona të fermerëve,që nga blerja e farës së skaduar “Ozgan” e deri tek plehrat kimikë, pesticidet dhe shërbimet që ju bën bimës për muaj me radhë.

Totalisht të falimentuar dhe me borxhe e kredi, fermerët e fshatrave: Kutalli, Samaticë, Goriçan, Hinkë, Drenovicë, Urë e Kuçit e Gajdë kërkojnë dëmshpërblim nga shteti pasi fara e skaduar e domates “Ozgan” që ata blen këtë vit dhe mbollën në serat e tyre u hodh në treg për shitje pasi u çertifikua nga Ministria e Bujqësisë.

Edhe pse rreth 2-javë më parë fermerët e Beratit, Lushnjes e Fierit u mblodhën në një protestë kundër Ministrisë së Bujqësisë në fshatin Samaticë, ata jo vetëm që nuk kanë marrë asnjë përgjigje por askush nga specialistët nuk ka ardhur në zonë për të evidentuar dëmet e shkaktuara e për të marrë mostrat e domateve,që ndodhen ende të kalbura në të gjitha serat.

Fermerët shprehen se i gjithë prodhimi i tyre u dëmtua dhe u kalb në sera për shkak të farës “Ozgan” dhe me kalbjen e të gjithë prodhimit të sivjetshëm ata kanë falimetuar. “Mos të na nxjerri kot justifikime qeveria sepse i gjithë faji për këtë katastrofë të krijuar ështê i tyre, ne shërbimet ja kemi bërë bimës njësoj si çdo vit.

U shkatërruam dhe jemi të zhytur në borxhe e kredi, tashmë na ka ngelur vetëm të largohemi nga tokat tona dhe të emigrojmë. Kërkojmë dëmshpërblim nga shteti pasi prodhimet në sera janë i vetmi burim të ardhurash që ne kemi për të mbajtur familjet”-, shprehen fermerët.

Rreth 400 fermerë të Beratit janë dëmtuar këtë vit në kulturën e domates, si pasojë e farës së skaduar të llojit “Ozgan”,që u përdor prej tyre në çdo serë e tokë bujqësore. I gjithë prodhimi i sivjetshmën i fermerëve nuk mundi të dali dot në treg, për shkak se u dëmtua e u kalb i gjithi 12-orë pas vjeljes dhe ky dëm i madh i ka çuar ata drejt falimetimit.

/faxweb