Skip to content

Organizata humanitare turke IHH ndihmon familjet në nevojë në Afganistan

Fondacioni Turk për Ndihmë Humanitare (IHH) ka ofruar pako ushqimore për 750 familje në nevojë në provincën Parwan të Afganistanit.

Koordinatori i IHH-së për Afganistanin, Mucahit Kiliç tha se po kryejnë një sërë aktivitetesh si pjesë e fushatës për të ndihmuar Afganistanin.

“Ne shpërndamë ushqime dhe produkte ushqimore për 750 familje në nevojë në qytetin Siyagard në provincën Parwan”, tha Kiliç.

Ai paralajmëroi se njerëzit po përballen me urinë në shumë pjesë të vendit.

“Sipas raporteve të Kombeve të Bashkuara, rreth 23 milionë njerëz në vend janë të kequshqyer. Ka shqetësime se rreth një milion fëmijë do të vdesin me ardhjen e dimrit”, tha ai.

Kiliç theksoi se duke pasur parasysh situatën aktuale në Afganistan, IHH po përpiqet të arrijë shpejt familjet në nevojë, duke shtuar se do të vazhdojë të shpërndajë ndihma ushqimore në ditët në vijim.

Pas një procesi që filloi me tërheqjen e forcave ndërkombëtare nga Afganistani këtë vit, si pjesë e një marrëveshjeje paqeje të arritur midis SHBA-së dhe talebanëve në shkurt të vitit 2020, talebanët rrethuan kryeqytetin Kabul dhe morën kontrollin e qytetit pa konflikt pasi presidentit Ashraf Ghani braktisi vendin më 15 gusht.

SHBA-ja përfundoi tërheqjen e saj nga Afganistani më 31 gusht.