Skip to content

“Pastroi” miliona dollarë, ish-presidenti i Barcelonës kërcënohet nga 11 vjet burg

Prokuroria e Shtetit në Spanjë ka kërkuar një dënim me 11 vjet burg për ish-presidentin e Barcelonës, Sandro Rosell, i cili akuzohet për pastrim parash dhe formimin e një organizate kriminale.

Rosell u arrestua në maj të vitit 2017 dhe që atëherë është në paraburgim duke pritur gjykimin.

Ish-kreu i gjigantit katalanas dyshohet se ka “larë” më shumë se 35 milionë dollarë në bashkëpunim me ish-presidentin e Federatës së Futbollit të Brazilit, Richard Teixeira, në Amerikën e Jugut.

Rosell është akuzuar për shkelje të ligjeve të marketingut ne menaxhimin e Barcelonës.

Sipas akuzave, ai dhe bashkëpunëtorët e tij kanë marrë në mënyrë të paligjshme 15 milionë euro nga shitja e të drejtave televizive.

Kjo sasi thuhet se u “pastrua” dhe se tërhiqej nëpër kompani fiktive me bazë në Andorra.

I gjithë operacioni që çoi në arrestimin e Sandro Rosell nis nga FBI kur filloi bastisjen e FIFA-s në vitin 2015 me akuzat për ryshfet dhe korrupsionin.

Rosell ishte president i Barcelonës nga viti 2010 deri 2014.