Skip to content

Shpërthen cisterna me naftë, mbi 90 viktima dhe qindra të plagosur

Përplasja mes një kamioni dhe autocisterne që transportonte nafte ka lënë mbi 90 viktima në shtetin afrikan të Sierra-Leones. Mjeti mori flakë teksa qytetarët ndodheshin aty për të marrë naftën që po rridhte.

Shpërthimi i fortë i një cisterne nafte në kryeqytetin e Sierra-Leones shkaktoi të premten më shumë se 90 viktima.

Ngjarja ndodhi në mbrëmje në rrethinat e Fritaunit, pasi një kamion goditi aksidentalisht autocisternën.

Dhjetëra viktima ishin duke mbledhur naftën që rridhte nga mjeti i çarë, kur një shkëndijë provokoi shpërthimin që dogji ata dhe përhapi flakët edhe në dyqanet e shtëpitë përreth.

Mbi 90 trupa u dërguan në morgun qendror të shtetit afrikano-perëndimor.

“Të ngjallin tmerr fotot dhe pamjet filmike që po qarkullojnë në rrjetet sociale. Ka fjalë se kanë vdekur mbi 100 veta,” tha kryebashkiaku i qytetit portual.

Presidenti i  Sierra Leones ndodhet në Skoci në vazhdën e samitit për klimën dhe ngushëlloi nga interneti familjet që humbën të dashurit dhe të plagosurit.