Tre persona janë arrestuar ditën e sotme në Elbasan, të akuzuar për trafik droge. Në pranga kanë rënë G. Xh., 40 vjeç, E. P., 18 vjeç dhe E. V., 31 vjeç, banues në Kavajë, të cilëve iu gjet në bagazhin e makinës 11 kilogramë e 500 gramë kanabis, me qëllimin për ta trafikuar drejt Maqedonisë së Veriut nëpërmjet kufirit të gjelbër. Ata u ndaluan nga policia në fshatin Rrajcë-Sutaj.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të narkotikëve. Finalizohet operacioni policor i koduar “Rrajca 2021”. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë të Stacionit Policor Prrenjas.
Sekuestrohen 11 kilogramë e 500 gramë lëndë narkotike cannabis sativa. Vihen në pranga 3 shtetasit që tentuan ta trafikonin lëndën narkotike drejt Maqedonisë së Veriut.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se disa shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, po tentonin të trafikonin një sasi lënde narkotike nëpërmjet kufirit të gjelbër, për në Maqedoninë e Veriut, menjëherë kanë organizuar dhe zhvilluar në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit Policor Prrenjas, operacionin policor të koduar “Rrajca 2021”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:
G. Xh., 40 vjeç, E. P., 18 vjeç dhe E. V., 31 vjeç, banues në Kavajë.
Në kuadër të këtij operacioni policor, në fshatin Rrajcë-Sutaj, bashkia Prrenjas, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur bllokimin e automjetit me drejtues shtetasin G. Xh. dhe pasagjerë shtetasit E. V. dhe E. P.
Gjatë kontrollit të këtij automjeti, në bagazh, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 çanta të mbushura me pako me lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë totale 11 kilogramë e 500 gramë, e destinuar për t’u trafikuar në Maqedoninë e Veriut.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dhe automjeti, si dhe 3 aparate celulare.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale “Trafikimi i narkotikeve“, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.
…
/faxweb
