Protestuesit e zemëruar në qytetin jugor të Tunizisë, Agareb, dogjën një stacion të Gardës Kombëtare pas vdekjes së një protestuesi një ditë më parë.
Familja e tij tha se protestuesi vdiq nga një bombol gazi i gjuajtur nga forcat e sigurisë gjatë protestave. Ministria e Brendshme tuniziane mohoi pretendimet e familjes.
Protestat në qytetin Agareb të provincës Sfax fillimisht u shfaqën pasi autoritetet rihapën një deponi që u mbyll në fund të shtatorit për shkak të ankesave të paraqitura nga vendasit se ndot mjedisin.
Sipas gazetarit të AA-së, forcat e sigurisë u tërhoqën nga zona pas përleshjeve të reja gjatë të cilave protestuesit i vunë flakën stacionit të Gardës Kombëtare.
Nuk raportohet për viktima.
Sipas një postimi në Facebook nga presidenca tuniziane, mbrëmë presidenti tunizian Kais Saied i bëri thirrje ministrit të Brendshëm, Taoufik Charafeddine, që të ndërhyjë menjëherë për t’i dhënë fund përshkallëzimit në Sfax.
Tunizia është përfshirë në një krizë të thellë politike që kur Saied rrëzoi qeverinë, pezulloi parlamentin dhe mori autoritetin ekzekutiv më 25 korrik.
Zhvillimet në Agareb paraqesin një sfidë serioze për kabinetin e ri të krijuar së fundmi, të kryesuar nga Najla Bouden, e cila u emërua nga Saied si kryeministrja e parë femër e vendit.