Këto janë momentet kur një taksist në Liverpul arrin t’i shpëtojë mrekullisht shpërthimit të makinës së tij, teksa pasagjeri me të cilin udhëtonte hedh veten në erë.
Ngjarja e frikshme ndodhi dje në Liverpul (Angli), ndërsa këtë të hënë media e huaj publikoi pamjet e shpërthimit të makinës së taksistit, i identifikuar si Dejvid Perri.
Siç raportojnë mediat britanike, taksisti kishte kuptuar se diçka nuk shkonte me burrin, ndërsa ky i fundit kishte në trup një pajisje e i dukeshin disa drita, siç shpjeguan disa prej miqve që kishin folur me taksistin.
Burri i kishte kërkuar të shkonin tek materniteti atje ku po mbahej një memorial me disa qindra njerëz, por teksa rrugët ishin të bllokuara, ky i fundit kishte ndërruar mendje dhe i kishte thënë të shkonin në qendër. Me t’u afruar tek materniteti, burri i ka thënë të ndalonte aty taksistit.
Pikërisht në këtë moment taksisti ka vendosur të mbyllë dyert e makinës, por pak para se të dalë nga automjeti e të lërë brenda të dyshuarin, ky i fundit ka aktivizuar eksplozivin. Mrekullisht taksisti arrin të dalë nga makina e cila përfshihet nga flakët pak momente më tutje.
Një mik i taksistit tregoi: Dejvid kishte vënë re se burri kishte disa si drita të lidhur me rrobat e tij dhe se ai po i shtypte e merrej me to. I është dukur si diçka jo normale. Ata nuk mund të shkonin atje (në Katedrale) sepse rruga ishte e bllokuar. Burri më pas ka ndryshuar mendjen dhe i ka kërkuar të shkojnë në qendër. Kur ishin afër spitalit (maternitetit) ai i ka kërkuar të ndalojnë atje. Nëse ai njeri do të kishte hyrë në spital, një Zot e di se çfarë do të kishte ndodhur.
Kryeministri i Britanisë reagoi në lidhje me çështjen duke thënë se taksisti ka vepruar me trimëri, ndërsa kryebashkiakja e Liverpulit Joanne Anderson tha “Taksisti hero ka arritur të shmangë një tragjedi”. Autoritetet kanë nisur hetimet mbi rastin dhe ditën e djeshme kanë arrestuar tre të rinj, të cilët mendohet të kenë lidhje me ngjarjen.
Sipas shefi i sektorit të kundërterrorizmit në North West Russ Jackosn, tregoi se motivacioni i autorit mbetet ende i paqartë. Ai u tha gazetarëve se taksia e mori autorin afro 10 minuta larg maternitetit.
“Autori kishte kërkuar të dërgohej në spitalin e grave në Liverpul, i cili ishte afro 10 minuta larg. Teksa taksia iu afrua spitalit, një shpërthim ndodhi brenda makinës, e cila më tutje u përfshi nga flakët… ne jemi në dijeni të aktivitetit në katedrale e cila në distancë nuk është larg. Momentalisht nuk mund të lidhim ngjarjen me mbledhjen atje (në katedrale), por është një pistë hetimi që po e ndjekim”
