Skip to content

Basha shpalli mbajtjen e Kuvendit më 18 dhjetor, Berisha nuk tërhiqet: Kuvendi Kombëtar i PD do të mbahet më 11 dhjetor

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas vendimit të kryedemokratit Lulzim Basha për mbajtjen e Kuvendit të Partisë Demokratike më 18 dhjetor. Në një konferencë për mediat, Berisha u shpreh i bindur se Kuvendi do mblidhet me 11 dhjetor dhe nukdo të mblidhet sipas rendit të ditës të përcaktuar nga Basha, por sipas asaj që kanë firmosur vetë delegatët.

“5 ditë pas dorëzimit të 4200 firmave, peng kryetari i PD mbledh kryesinë falso, apo fake të kësaj –partie, e cila në masën 60 përqind të saj, është zgjedhur në dhunim flagrant të statutit të partisë, pra jo me votën e fshehtë të këshillit tonë kombëtar, por emëruar nga peng kryetari i partisë siç donte ai dhe njofton datën që jep pengu i tij Edi Rama për Kuvend të PD 18 Dhjetor.

Me këtë rast, unë dua të garantoj të gjithë firmëtarët e këtij misioni historik firmat e të cilëve do të gdhenden në muralin e pluralizmit politik shqiptar, por dhe të PD se nuk do ketë kurrë asnjë forcë, dhe asgjë që mund të nëpërkëmbë firmat e tyre dhe se kuvendi i PD do të mblidhet datën e shpallur prej tyre dhe se ai Kuvend do të mblidhet jo sipas rendit të ditës të peng kryetari por sipas rendit të ditës që ata kanë firmosur në formularin e tyre”, tha Berisha.