Aleksandër Frangaj i ka vënë në dispozicion televizionin e tij Sali Berishës, në betejën kundër SHBA dhe Lulzim Bashës.
Së fundmi, ka qenë edhe Blendi Fevziu që ka dalë hapur pro Berishës.
Ai ka sulmuar Lulzim Bashën, duke thënë se Basha po përpiqet që me “truke administrative” ta lodhë Berishën, duke i ulur vrullin lëvizjes së tij.
“Njëra palë ka thirrur datën 11 dhjetor me parimin që anëtarësia e zeron kryesinë. Zakonisht anëtarësia e kërkon mbledhjen e kuvendit kur nuk e bëjnë strukturat. Mbështetësit e Berishës mendojnë se kjo e zeron dakordësinë e kryetarit.
Basha ka thirrur Kuvend tjetër. Mund ta thërriste një javë më parë, por me sa duket nuk e premton më koha fizike. Thërret kuvend sipas të drejtës statutore.
Ku dallojnë këto? Në të parin ka ndryshime statutore, që e dimë që do të shkarkojnë Bashën dhe një lloj rivotimi. Kuptohet që shkarkimi final do të jetë një anëtar një votë. Kuvendi i propozuar nga Basha nuk e ka këtë pikë të diskutimit.
Jemi në një ngërç, ka ndodhur situatë jo e papritur. E papritur është që bëhen dy kuvende brenda një jave. Mund ti bënin në dy salla të ndryshme. E kemi parë këtë në partitë e vogla, ku ka përfunduar edhe në rrahje.
Në gjykimin tim, kjo është komike, e paimagjinueshme dhe jo produktive, që partia më e madhe e opozitës, që është shpresë dhe ka kontribut të jashtëzakonshme, përfundon në një betejë të tillë pa pikë sensi.
Pashë zgjedhjet në Kosovë dhe jam impresionuar me standartin e lartë demokratik, ku secili kandidat uroi kandidatin konkurent.
Problemi kryesor do të bëhet kush do ta mbajë logon. Deri tani ka dy mënyra. Njëra palë, e Bashës mendon se vrulli i Berishës do të rreshtë duke përdorur truke statutore dhe administrative dhe mendojnë se ka një kohë fizike që PD të rekuperojë.
Pala tjetër, e mbështetësve të Berishës, mendon se zgjidhja e vetme është të goditet direkt Basha dhe të largohet.
Rreziku më i madh, është që partia të çahet në dysh dhe pastaj beteja kryesore do të bëhet për logon”, tha Fevziu ndër të tjera për Ylli Rakipin.
Kujtojmë që Fevziu dhe Frangaj i kanë çuar Berishës për zëdhënëse edhe Floriana Garon.
