Deputetja socialiste Etilda Gjonaj ka vlerësuar projekt-buxhetin e prezantuar duke e cilësuar si një nga buxhetet më të mira dhe më të rëndësishme.
Sipas saj, është adresuar siç duhet rimëkëmbja e vendit dhe financimi i programit të qeverisë pas dy goditjeve më të mëdha tërmetit të fundvitit 2019 dhe pandemisë covid-19.
“Buxheti 2022 garanton mbështetjen e rritjes ekonomike të vendit për të lënë krizën pas, për të ndihmuar kështu të gjithë shoqërinë pavarësisht sektorit. Ashtu si dhe ofron mbështetjen nëpërmjet zbatimit të politikave fiskale dhe sociale, duke taksuar 0 lekë rreth 87600 punonjës që të ardhurat e tyre janë jo më shumë se 400 mijë lekë, por edhe për shtresën e mesme duke ulur tatimin mbi të ardhurat. Rritja e pagave të akomoduara në buxhetin e vitit 2022 është një premtim i mbajtur i qeverisë shqiptar për mësuesit, mjekët, infermierët, trajtimin me bonus të vecantë deri në 150% të punonjësve të policisë së shtetit që punojnë larg vendbanimit të tyre, rritjen e pagës me 30% për forcat e armatosura”, tha ajo ndër të tjera.
Ish ministrja çmoi edhe prioritetin buxhetor që i është akorduar institucioneve të reja të drejtësisë.
“Është e qartë që ashtu si Qeveria ka mbështetur pa asnjë kursim zbatimin e reformës në drejtësi, duke akomoduar cdo kërkesë financiare dhe çdo kërkesë lidhur me burimet njerëzore ose infrastrukturore, ashtu do të vijojë të mbështesë këto institucione edhe në buxhetin e vitit 2022. Në radhë të parë për të garantuar përfundimin e proceseve tranzitore të vettingut ashtu si dhe funksionimin normal dhe me efiçencë të institucioneve të drejtësisë së re, me qëllim arritjen e rezultateve jo vetëm si një detyrim për qytetarët tanë por edhe si një ndër kushtet për procesin e integrimit”, tha Gjonaj duke shtuar se:
“Ndihem shumë mirë tek shoh që buxheti i vitit 2022 akomodon financiarisht një sërë masash të vendosura në ndryshimet e paketës së 10 ligjeve të reformës në drejtësi të miratuara në maj të këtij viti. Një ndër masat konkrete që do të shërbejë në rritjen e eficencës së sistemit gjendur edhe përpara vështërisive të vakancave që ka krijuar procesi i vettingut, të këshilltarëve në cdo gjykatë rrethi apo apeli si dhe në Prokurorinë e Përgjithshme për të krijuar njësinë e këshilltarëve ligjore”, tha Gjonaj.
Ish ministrja e Drejtësisë u shpreh se është “Shumë pozitiv fakti që në buxhetin e vitit 2022 buxheti i SPAK dhe i BKH është rritur me 50%, duke adresuar financiarisht të gjitha ndryshimet e miratuara në paketën e majit të vitit 2021, me qëllim rritjen e rasteve të ndëshkueshmërisë të korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar, si prioritet dhe i integrimit evropian. Shpresoj që kjo rritje në buxhet e mbështetjes së zbatimit të reformës në drejtësi do të përkthehet në më shumë efektshmëri të sistemit të drejtësisë drejt qytetarëve, në garantimin e aksesit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, në më shumë transparencë, standart dhe llogaridhënie”.
Gjonaj shtoi se: “Lufta kundër korrupsionit është një ndër prioritetet kryesore edhe në procesin e integrimit evropian dhe më vjen mirë që tashmë struktura e antikorrupsionit së bashku me koordinatorët e rrjetit antikorrupsion, një rrjet i cili është konsideruar si një mekanizëm me vlerë edhe në dy progres raportet e fundit të Komisionit evropian është centralizuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe do të shërbejnë në arritjen e rezultateve më të mira në luftën kundër korrupsionit”.
Ndërkohë ajo veçoi edhe mbështetjen financiare për gratë e trafikuara dhe fëmijët jetime nën moshën 18 vjeç.
“Pa as më të voglin dyshim më shumë duhet të bëjmë për gratë në nevojë, gratë viktima të trafikimit apo të dhunës në familje, por besoj që ky është një hap shumë i mirë dhe pse jo të punojmë që mbështetja e tyre financiare ose incentiva të tjera të jenë pjesë e programeve tona që të adresohen edhe në buxhet, si për gratë fermere, sipërmarrëse, etj”, tha ligjvënësja socialiste. (TemA)
