Prej mëse dy javësh, një 28 vjeçar nga Erseka është zhdukur në mënyrë misterioze. Prindërit e të riut, i identifikuar si Sherif Mukaj, prej ditësh mundohen të mësojnë diçka më shumë për zhdukjen e djalit, por deri më tani nuk ka asnjë të re. Babai i të riut ka ardhur nga SHBA-të për ta kërkuar të birin, i cili jetonte i vetëm në shtëpi.
Kontakti i fundit që 28 vjeçari ka patur me familjarët ka qenë më 1 nëntor. Babai i të riut tregon se më datën 5 nëntor telefoni i të riut ka qenë hapur dhe zilja i ka shkuar, por askush nuk është përgjigjur. Ai tha se i biri ishte punëtor, pa asnjë problematikë, pa borxhe, pa vese apo konflikte.
Ai ka kërkuar nga prokuroria që të hapin tabulatet e telefonit për të parë me kë ka komunikuar i biri.
“Kontakti i fundit ka qenë në datën 1 nëntor, të hënën pastaj më s’kemi komunikuar. Në datën 5 i ka vajtur një herë zilja dhe s’është hapur telefoni tani i bëj thirrje Prokurorisë të hapë sa më shpejt telefonat. Nuk kam vërë re asnjë lloj shqetësimi, nuk ka patur asnjë lloj shqetësimi.
Unë jetoj në Amerikë në Miçigan, kam ardhur apostafat për këtë punë. Kam dy fëmijë, çupën e kam andej, djali jetonte vetëm në shtëpi. Nuk ka patur shqetësim dhe këta që kemi pyetur, me këta djemtë rrinte me tërë gjakun tonë që lidhemi, s’kishte ndonjë shqetësim ndonjë gjë. Sot po bën 18 ditë që s’kemi asnjë lloj komunikimi. Telefonin që ka me vete i kemi rënë, por nuk hapet telefoni. I hodhëm edhe lekë numrit se mos kush e di i kanë mbaruar lekët asnjë lloj komunikimi. Djali punonte kur gjente punë këtu. S’ishte njeri që mos punonte, i pa ngatërruar as me sherre as me borxhe. Kudo që kam pyetur më thonë s’ka djalë me i mirë më i rregullt na bën përshtypje si ka ndodhur kjo gjë”-tregoi i ati.
28 vjeçari kishte lënë dokumentat dhe një celular që përdorte në makinën e tij. Për herë të fundit është parë në fshatin Starje të bashkisë së Kolonjës. Policia ka nisur kërkimet që prej denoncimit të rastit (8 nëntor), por ende nuk ka gjetur gjurmë të të riut. Grupi hetimor ka në dorë telefonin celular të të riut, dhe pritet t’i nënshtrohet ekspertizës.
