Policia e Tiranës ka reaguar sot në lidhje me postimin e ish kryeministrit Berisha në facebook. Referuar një mesazhi të mbërritur në postën e tij elektronike, Berisha denoncoi se oficeri qe po hetonte skandalin e djalit të PS është kërcënuar me jetë dhe se ngjarja është mbajtur e fshehtë nga blutë e Tiranës. Në një deklaratë shpërndarë mediave, Policia e Tiranës sqaron se janë kryer të gjitha veprimet proceduriale për rastin në fjalë.
‘Në datë 30.07.2018 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës” në ngarkim të shtetasve R.Rr., 25 vjeç dhe R.Rr., 33 vjeç, banues të dy në Tiranë (të afërm të shtetasit Rr. R.,) pasi në rrugën “Sokrat Miho”, për shkak të detyrës kanë kanosur punonjësin e policisë, shtetasin E. N., 32 vjeç, banues në Tiranë.’ – thuhet në njoftimin e policisë, ku në përfundim theksohet se ngjarja nuk është mbajtur e fshehur por është publikuar në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit sipas procedurës standarde në datë 31.07.2018.
( Balkanweb )
