Skip to content

Uroi Pavarësinë me foton e Enver Hoxhës, Balla: Deputeti Çela më dha sqarim, telefoni është përdorur nga persona të tjerë

Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka dhënë një deklaratë në lidhje me urimin e pavarësisë që bëri ditën e djeshme deputeti socialiste Bujar Çela në grupin e “Whatsapp” të Komisionit të Sigurisë.

Çela ka uruar 28 vjetorin me një foto ku krahas flamurit shqiptar, ishte stampuar edhe figura e ish-diktatorit Enver Hoxha. Urim ky i cili ka revoltuar deputetët e opozitës, të cilët e kanë cilësuar urimin si fyes dhe poshtërues.

“Unë kam marrë një sqarim nga deputeti në fjalë, që bëhet fjalë për përdorim të aparatit të tij celular nga persona të tjerë. Kjo do të jetë pjesë e një verifikimi në aspektin e grupit të sjelljes dhe etikës brenda grupit parlamentar dhe çdo masë ndëshkimore do të merret në momentin që do të ketë verifikime.

Do i kërkoja të gjithë kolegëve të tjerë të raportojnë raste të tilla dhe natyrshëm që grupi parlamentar i PS ka të gjithë instrumentet e nevojshme për të ndërmarrë çdo lloj hapi apo mase disiplinore”, tha Balla.