Deputeti socialist Erion Braçe ka ndërhyrë në debatin për Qazim Mulletin dhe shfaqjen “Prefekti” që u lexua në Teatrin Kombëtar.

Përmes një njoftimi në “Facebook”, ai thotë se Mulleti ka bashkëpunuar me fashistët e nazistët dhe se si i tillë ishte i përfshirë në ekzekutimet e antifashistëve. Por Braçes i është përgjigjur Mira Dine, mbesa e Qazim Mulletit, e cila vlerëson figurën e tij, qëndrimin antikomunist, por dhe ndihmën që ka dhënë për shpëtimin e hebrenjve nga gjermanët në Tiranë.

“Fashizmi është krim! As opinion, as komedi, as teatër, por krim! Qazim Mulleti d.v ishte kryetar i Bashkisë Tiranë prej pushtimit fashist; Qazim Mulleti d.v ishte prefekt i Tiranës gjatë pushtimit fashist e nazist, emëruar nga qeveri fashiste/naziste e në bashkëpunim me ta! Vini re; Prefekti në atë kohe, si funksion e pushtet, ishte i përfshirë në arrestimet dhe ekzekutimet me vdekje të antifashistëve! Kaq! Dhe besoj mjafton! Pjesa tjetër është teatër, komedi, film;

Nuk është histori faktike, por komedi, parodi. Kush të doje e sheh e kush jo! Por kur politika, në shekullin e 21-të, nis të vendosë se si duhet të jetë komedia, parodia etj., etj., ky është rikthim hëm në fashizëm e hëm në hoxhizëm! Boll!

Liria e njerëzve për ta parë botën si duan e bërë komedi, parodi, teatër, art në përgjithësi, është kushtetuese! Të gjithë të tjerëve po iu pëlqeu mirë, po nuk iu pëlqeu, punë e madhe shumë! Në fund, gjithçka ka ndodhur me familjen e tij të papërfshirë në krim kund, si përndjekje, diskriminim, burgim, internim, pas vitit 1945, është e padrejtë deri kriminale!

Përgjegjësia penale është individuale dhe shumë e qartë madje”, shkruan Braçe.

Poshtë postimit të tij ka reaguar një familjare e Mulletit, Mira Dine, e cila mes të tjerash thotë se ai shpëtoi hebrenj dhe se bashkëpunimi me pushtuesin ishte institucional.

Postimi i familjares Mira Dine

Me këtë postim që keni bërë shoku Braçe, tregoni se nuk keni bërë shkollë tjetër veç asaj të PPSH. A e dini ju se për postin shtetëror nuk mund të paragjykohet si bashkëpunëtor, se bashkëpunimi është brendia e detyrës së politikanit dhe ju bashkëpunoni me demokratët, por mbeteni socialist.

A e keni parë Schindlersliste dhe ai bashkëpunonte për të shpëtuar jetë njerëzish, dhe para një muaji u nderua dhe një oficer gjerman nazist në Gjermani, se ka shpëtuar jetë njerëzish. U deshën 77 vjet që oficeri nazist të nderohej, s’e paragjykoj si po bëni dhe ju në rastin e fisnikut Qazim Mulleti… Hiqini syzet e paragjykimit, shoku Braçe, dhe shikoni të vërtetën, sesa hebrenj ka shpëtuar fisniku Qazim Mulleti duke i dërguar në malësitë e Tiranës te miqtë e vet besnikë…

Natyrisht, paraardhësit e sojit tuaj analfabetë nuk mund të viheshin në kryetar bashkie në atë kohë kur ai i sqaronte tironsit, që Gjermania e humbi luftën, tashti armiku kryesor nuk është nazizmi, se ato nuk rrinë këtu përjetë, po armiku kryesor është bolshevizmi… Të mos na pushtojë komunizmi…

Ai ka bërë punë sqaruese me të rinjtë tironas duke i sqaruar se çfarë do t’i gjente kur të vinte komunizmi…por asnjë nuk e besoi …as e shoqja, që nuk shkojë e hoqi skëterrë në vendin që ndërtuan paraardhësit e socialistëve… Ai qe profet dhe ka treguar me imtësi se çfarë do t’i gjente njerëzit në komunizëm. Ai njihte bolshevizmin, si askush tjetër…Dhe historia i dha të drejtë….

Që me 22 nëntor 1942, me humbjen e armesë së gjashtë në Rusi me gjeneralmarshall Paul, ishte e qartë për gjithë ata që ishin politikanë, strategjikë betejash luftëtarë (Qazimi ka luftuar kundër serbëve) se Gjermania e humbi luftën… po ju, o shoku Braçe, nuk merrni vesh nga politika e strategjia po vazhdoni bëni propagandë… Mos u bëj merak, se fisnikun Qazim Reshat Mulleti do ta nderojë e ardhmja, se ai qe një humanist strategjik, një intelektual antibolshevik… Shko laj gojën, more shërbëtor Bracçe, kur të përmendësh emrin e fisnikut QAZIM RESHIT MULLETI, se nuk ke ti të drejtë të përgojosh atë…

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re