Familjarët e personave që humbën jetën në tragjedinë e ‘9 Janarit’ në bregdetin e Vlorës, kanë mbërritur sot në SPAK dhe kërkojnë që kjo çështje të hetohet nga Prokuroria e Krimit të Organizuar.
Sipas tyre në fshehjen e 8 trupave të familjarëve të tyre, që edhe sot e kësaj dite nuk janë gjetur ende, kanë gisht dhe strukturat shtetërore.
Ndoc Bjeshka, i cili ka humbur djalin e tij të vetëm në këtë tragjedi, thekson se kjo ngjarje duhet të zbardhet. Sipas tij shteti italian ka deklaruar se janë gjetur trupa të pajetë të cilët janë fshehur nga vetë shteti shqiptarm ndërkohë që përmend dhe emrin e Sokol Bizhgës.
Ai akuzon ministrin e kohës Pandeli Majko dhe zyrtarë të tjerë, që sipas tij nuk kanë bërë asnjë përpjekje për shpëtimin e të rinjve, që kishin mbetur me orë të tëra në det të hapur.
“Janë 8 persona të zhdukur, mes tyre edhe djali im, që nuk i kam gjetur ende kockat. Ka qenë Sokol Bizhga ai që ka zhdukur trupat, ne kërkojmë që të merren në pyetje të gjithë zyrtarët e përfshirë, mes tyre edhe Pandeli Majko që ka qenë ministër“, u shpreh babai i një prej djemeve që rezulton i zhdukur, tashmë prej 18 vitesh.
Ata thonë se prokuroria e Vlorës nuk ka kryer asnjë hetim, dhe nuk ka çuar asnjë person në Gjykatë lidhur me këtë ngjarje tragjike. Shumica e viktimave të kësaj tragjedie ishin nga veriu i Shqipërisë, dhe ishin nisur për një jetë më të mirë drejt Italisë.
Kujtojmë se në tragjedinë e ndodhur në 9 Janar të 2004-trës humbën jetën 28 persona, 8 prej të cilëve nuk janë gjetur ende.
…
/faxweb
