Skip to content

‘Nuk mund të marrësh borxh me idenë ‘kushedi si do të na vijë halli”, Vasili kundërshton kredinë prej 60 milionë eurosh që do të marrë qeveria

Është diskutuar në komisionin e Shëndetësisë projektligji për marrjen e një huaje në vlerën e 60 milionë eurove nga Banka e Zhvillimit të Këshillit të Evropës për pandeminë e Covid 19.

Deputeti dhe njëherësh nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili është shprehur se kjo kërkesë është e palogjikshme pasi nuk mund të kërkohet një mbështetje buxhetore për vitet që kanë kaluar.

Por sipas përfaqësuesve të ministrisë së Shëndetësisë, kjo hua që do të merret do të shërbejë për sigurimin e më shumë dozave të vaksinave anticovid, dhe pasojave të tjera që ka shkaktuar pandemia. Vasili shtoi se nuk është e specifikuar se për çfarë do të përdoren këto para që do të merren borxh.

‘Kjo kërkesë për mendimin tim është e palogjikshme, pasi nuk mund të kërkohet mbështetje buxhetore për vitet që kanë kaluar. Nuk është specifikuar se për çfarë do të përdoren këto 60 milionë euro kredi, nuk mund të marrësh borxh duke thënë se “kushedi si na vjen halli””, tha në Komision Vasili.

Ndërkohë që mazhoranca këmbëngul se kjo hua është e nevojshme për mbajtjen nën kontroll të situatës së pandemisë.

Gjatë ditës së djeshme, zëvendësministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini, duke iu referuar marrjes së kësaj kredie do të shprehej:

“Ka për qëllim mbështetjen e qeverisë për të përballuar pandeminë COVID-19. Kjo vlerë prej 60 milionë eurosh ka për qëllim të ndihmojë qeverinë në blerjen e vaksinave, si mjeti i vetëm shpëtues për popullatën, do shërbej për mjete për bluzat e bardha, barna, kite reagent për pacientët me COVID-19, pajisje mjekësore, për përballimin e bonusit të mjekëve që trajtojnë COVID-19, dhe ndërhyrje në infrastrukturën spitalore”.

/faxweb