Skip to content

“Nga zemra e një nëne…” Shqiptarët i shpëtuan të bijën nga paraliza, këto janë fjalët e nënës së Klementinës

“Xhaxhi dhe nëna më çuan tek spitali. Mjekët thanë që kisha skoliozë, 64 gradë e kam shtyllën… që nga ai moment, shumë jam mërzitur. Kam qenë shumë normale… por tani skolioza më ka ndryshuar. Më ka marrë malli që të vrapoj, të rri me shoqet. Doktori ka thënë që nëse nuk operohesh, do të paralizohem. Unë kam shumë frikë se mos paralizohem. I lutem Zotit që të mos më ndodhë…”

Këto ishin fjalët e Klementinës, një vajzë që prej kohësh duronte dhimbjet në trup, s’mund të vraponte më, e s’mund të lëvizte dot si të gjithë moshatarët e saj. Klementina vuante nga skolioza, e cila ia kishte shtrembëruar shtyllën deri në 60 gradë. Rrezikonte paralizën e sigurt dhe jo vetëm… sëmundja mund t’i merrte jetën.

“Për gocën më ka përvëluar shpirti… kush e ndihmon atë, veçse Zoti i madh. Kush e ve dorën ne zëmër për atë… (qan) po nuk kam ku shkoj, nuk kam ku të përplasem”-thoshte për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët, nëna e Klementinës.

Shqiptarët iu përgjigjën lutjeve të kësaj nëne të vuajtur. Emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” së bashku me bamirësit arritën të mbledhin në kohë rekord shumën e nevojshme për operimin e Klementinës. Lotëve e dhimbjeve të shumta, u erdhi fundi në momentin kur nëna e gjyshja e Klementinës panë vogëlushen tek doli nga operimi i suksesshëm.