Skip to content

Arabia Saudite: Personi i arrestuar në Francë nuk ka lidhje me vrasjen e Khashoggit

Arabia Saudite mbrëmë mohoi raportimet se është arrestuar në Francë një anëtar i dyshuar i ekipit që vrau gazetarin Jamal Khashoggi në vitin 2018 në konsullatën e mbretërisë në Stamboll.

Duke cituar Ministrinë e Punëve të Jashtme, ambasada e Arabisë Saudite në Paris i quajti “të pasakta” raportimet e mediave rreth arrestimit të një shtetasi saudit në Francë si i dyshuar në rastin e vrasjes.

Personi i arrestuar “nuk ka fare të bëjë me rastin në fjalë”, thonë nga ambasada.

Duke u shprehur se është arrestuar person i gabuar, ambasada bëri thirrje për lirimin e tij “të menjëhershëm”.

Nga ambasada thonë se gjykatat saudite kanë shqiptuar vendimet për të gjithë ata që ishin të përfshirë në “vrasjen e tmerrshme” dhe ata aktualisht janë duke vuajtur dënimet.

Gjatë ditës së djeshme, autoritetet franceze njoftuan arrestimin e 33-vjeçarit Khaled Aedh Al-Otaibi në Aeroportin “Charles de Gaulle”.

Mediat lokale raportuan se Otaibi u ndalua teksa po futej në avion për të udhëtuar drejt kryeqytetit të Arabisë Saudite, Rijad.

Khashoggi u vra në mënyrë brutale dhe me shumë gjasë u copëtua brenda Konsullatës saudite në Stamboll në vitin 2018.

Rijadi zyrtar fillimisht mohoi çfarëdo roli në vrasjen e tij, por më pas fajësoi në atë që e quajti “operacion i dështuar i dorëzimit”.