Shefi i mbrojtjes së Indisë, gjenerali Bipin Rawat, gruaja e tij dhe 11 persona të tjerë janë vrarë pasi një helikopter ushtarak me të cilin po udhëtonin u rrëzua në shtetin jugor të Tamil Nadu, kanë thënë Forcat Ajrore Indiane (IAF).
IAF tha në një postim në Twitter se “aksidenti tragjik” ndodhi në afërsi të qytetit Coonoor mesditën (06:30 GMT) e të mërkurës.
Helikopteri Mi-17V5 i prodhimit rus ishte duke u nisur nga një bazë e forcave ajrore, për në Kolegjin e Stafit të Shërbimeve të Mbrojtjes kur u rrëzua. Arsyeja e rrëzimit nuk dihet akoma dhe autoritetet thanë se kanë hapur një hetim.
Forcat ajrore thanë se një oficer, Kapiteni i Skuadrës Varun Singh, mbijetoi dhe po trajtohet në një spital ushtarak.
Duke raportuar nga Nju Delhi, Elizabeth Puranam reportere e Al Jazeeras tha se udhëtimi në Kolegjin e Stafit të Shërbimeve të Mbrojtjes “nuk supozohej të ishte një udhëtim shumë i gjatë, por ky është një rajon shumë malor, me shumë pyje”.
Videot e transmetuara në kanalet e lajmeve indiane treguan helikopterin në flakë në një zonë me pyje të dendur pranë kolegjit, ndërsa vendasit u përpoqën të shuanin zjarrin dhe të hiqnin trupat nga rrënojat.
Kryeministri i Indisë Narendra Modi tha se Rawat ishte një “ushtarak i shquar” dhe një “patriot i vërtetë” i cili kontribuoi shumë në modernizimin e forcave të armatosura të vendit dhe aparatit të sigurisë.
“Mendjemprehtësia dhe perspektivat e tij për çështjet strategjike ishin të jashtëzakonshme. Vdekja e tij më ka trishtuar thellë”, tha Modi.
Ministri i Mbrojtjes Rajnath Singh tha se Rawat “i shërbeu vendit me guxim dhe zell të jashtëzakonshëm”.
Shefi i ushtrisë i armikut kryesor te Indisë, Pakistanit, gjenerali Qamar Javed Bajwa, shprehu ngushëllimet e tij për “vdekjen tragjike” të Rawat dhe gruas së tij, tha qeveria e tij në një postim në Twitter.
Rawat, 63 vjeç, ishte shefi i parë i shtabit të mbrojtjes së Indisë, një pozicion që qeveria indiane e themeloi në vitin 2019 dhe të cilin ai e mori vitin e kaluar pasi doli në pension si shef i ushtrisë.
Ai konsiderohej i afërt me kryeministrin Modi dhe ishte këshilltar i Ministrisë së Mbrojtjes.
Detyra e tij kryesore ishte të rindërtonte ushtrinë, e cila ka luftuar për të modernizuar dhe përmirësuar koordinimin midis ushtrisë, marinës dhe forcave ajrore.
Analisti i mbrojtjes Harsha Kakar, i cili gjithashtu ka shërbyer si gjeneral-major në ushtrinë indiane, i tha Al Jazeera-s se vdekja e Rawat ishte “një pengesë … në drejtim të modernizimit të forcave”.
Analisti dhe autori i mbrojtjes me bazë në Delhi, Pravin Sawhney, i tha Al Jazeera-s se nismat ushtarake të gjeneralit Rawat tani do të “ngecin”.
“Nëse ato do të rishikohen apo çfarë do të ndodh me to, kjo duhet parë”, tha Sawhney.
Karriera ushtarake
Shefi i mbrojtjes rridhte nga një familje ushtarake, me disa breza që shërbenin në forcat e armatosura indiane.
Gjenerali, i cili kishte katër dekada shërbim pas tij, ka komanduar forcat në Kashmirin e administruar nga India dhe përgjatë vijës së kontrollit aktual në kufi me Kinën.
Në vitin 2015, Rawat mbikëqyri “sulmet e mire detajuara (kirurgjikale)” indiane në Mianmarin fqinj, kur para-komandot hynë në vend për të sulmuar rebelët Naga që kishin zënë pritë dhe vranë trupat indiane.
Në vitin 2017, ai i dha një medalje trimërie një oficeri të ushtrisë që kishte lidhur një civil në pjesën e përparme të automjetit të tij në Kashmir, ku rebelët po luftojnë sundimin indian. Incidenti ndezi polemika brenda dhe jashtë Indisë, me grupet e të drejtave të njeriut që thanë se oficeri e përdori njeriun si një mburojë njerëzore kundër protestuesve që hidhnin gurë.
Rawat tha se veprimet e oficerit ishin brenda rregullave sepse ushtria po përballej me një “luftë të pistë” në rajonin e diskutueshëm dhe duhej të luftonte duke përdorur mënyra “inovatore”.
Muajin e kaluar, ai shkaktoi një tjetër polemikë duke thënë në televizion se banorët e Kashmirit po ofrojnë “të linçojnë vetë terroristët” dhe se kjo ishte një “shenjë shumë pozitive”. Linçimet janë të paligjshme sipas ligjit indian. Ai nuk ka ofruar asnjë provë për të mbështetur deklaratën e tij.
Kashmiri është i ndarë midis Indisë dhe Pakistanit dhe të dy pretendojnë të gjithë territorin e Himalajeve.
Rawat më parë i mbijetoi një përplasjeje helikopteri në vitin 2015 në shtetin verilindor të Nagaland.
Lloji i helikopterit të transportit ushtarak që u rrëzua të mërkurën, Mi-17V5, përdoret gjerësisht në Indi nga ushtria dhe ministrat kur vizitojnë vendet e mbrojtjes.
Në vitin 2017, një helikopter Mi-17V5 u rrëzua në shtetin verilindor të Arunachal Pradesh, duke vrarë shtatë personel ushtarak.
Bilal Kuchay kontribuoi në raportimin nga Nju Delhi, Indi.
Burimi: Al Jazeera dhe agjencitë e lajmeve
