Ambasadori i Turqisë në Doha, Mustafa Göksu, tha se marrëdhëniet e Turqisë me Katarin kanë hyrë në një fazë të re që përfshin partneritetet e investimit në vendet e treta, kryesisht në Afrikë.
Duke folur për televizionin Al Jazeera, ambasadori Göksu vlerësoi marrëdhëniet Turqi-Katar.
“Marrëdhëniet mes Katarit dhe Turqisë nga faza e bashkëpunimit kanë kaluar në fazën e një partneriteti të thellë strategjik”, tha Göksu, i cili njoftoi se me formimin e Komitetit të Lartë Strategjik mes dy vendeve janë nënshkruar mbi 68 marrëveshje që nga viti 2014.
Ai deklaroi se faza e re e marrëdhënieve “përfshin partneritetet e investimit në vendet e treta, kryesisht në Afrikë”.
Gjatë vizitës që realizoi në Katar presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, njoftoi ambasadori Göksu, mes dy vendeve u nënshkruan 15 marrëveshje kryesisht në fushat e kulturës, sportit, organizimin e aktiviteteve të mëdha, shëndetësisë dhe medias.
Ambasadori turk theksoi se edhe mes dy ministrave të brendshëm të të dy vendeve u nënshkrua një marrëveshje lidhur me organizimin e aktiviteteve gjithëpërfshirëse në Katar. Ai shpjegoi se marrëveshja në fjalë përfshin kontributet e Turqisë për garantimin e sigurisë së organizimit të Kupës Botërore FIFA 2022 që do të zhvillohet në Katar. Në kuadër të kësaj, fushat në të cilat Turqia mund të ofrojë ndihmë do të përcaktohen nga Katari, ndërsa Ankaraja do të ofrojë ndihmë.
Ambasadori Göksu shtoi se Turqia dëshiron që ky organizim i cili do të realizohet nën pritjen e Katarit të jetë i suksesshëm.