Skip to content

‘Kur shkojmë te kutia e votimit duhet të zgjedhim midis një politikani të korruptuar dhe një tjetri shumë të korruptuar’, Likmeta: Kërcënohet mirëqënia e qytetarëve

Gazetari Besar Likmeta ka qenë i ftuar në Fax News, ku ka folur në lidhje me korrupsionin në Shqipëri, ku sipas tij vendi ynë ende vuan një shkallë të lartë.

Likmeta tha se Shqipëria vijon që të mbetet në vendet e fundit, sa i takon luftës kundër korrupsionit, për shkak se klasa politike vijon të jetë e njëjta prej 30 vitesh, duke bërë që të mungojë vullneti për të ndryshuar situatën.

“Gjithë raportet ndërkombëtare na thonë që Shqipëria nuk ka bërë hapa përpara sa i takon luftës ndaj korrupsionit, fatkeqësisht është hequr dhe nga prioritetet e klasës politike. Korrupsioni mbi të gjitha kërcënon mirëqenien e qytetarëve, shpërdorimi i fondeve dhe parave nga personat e zgjedhur. Taksat duhet të shpërndaheshin dhe rishpërndaheshin për të ndihmuar qytetarët.

Politikanët kryesorë në vendin tonë, janë të zgjedhur që para 30 viteve, duke penguar mundësinë e garës së drejtë, ne kur shkojmë te kutia e votimit, duhet të zgjedhim mes personave të korruptuar dhe shumë të korruptuar. Të gjitha shkallët e qeverisjes në vendin tonë, mbajnë në shpatullat e tyre përgjegjësi për gjendjen e korrupsionit.

Ndihma e jashtme që ka marrë Shqipëria ka qenë shumë e madhe, në krijimin edhe të ashtuquajturave shoqëri civile, nuk e përcaktoj dot nëse është bërë mjaftueshëm apo jo. Në Shqipëri korrupsioni është i përhapur kudo, duhet të jetë vetë shoqëria që të reagojë e para.

Nuk jemi ndryshe nga shumë vende të tjera, tregon gjendjen dhe statusin ku ne jemi, ku politikanët kanë fokus mirëqënien dhe të ardhurat e tyre personale”, tha Likmeta.

/faxweb