Skip to content

Një ngjarje e pabesueshme… Qeni i rrugës shpëton nga zjarri nënën me dy fëmijët e saj

Një qen rruge i erdhi në shtëpi dhe Charity Golloway, ishte mëse e lumtur që ta mbante në oborrin e shtëpisë. Ajo me dy fëmijët e saj e quajtën qenin ‘Butter’ (në shqip gjalpë) dhe i ndërtuan një kolibe pranë banesës së tyre, ku i vendosën dhe një dritë.

Aksidentalisht llamba e dritë shkaktoi një qark të shkurtër dhe i vuri flakën banesës. Qeni kuptoi në njëfarë mënyre se diçka e keqe po ndodhte dhe nis të lehë në dritaren e shtëpisë, atje ku po qëndronin Charity me dy fëmijët e saj.

Nëna vuri re të lehurat e qenit i cili nuk largohej nga dritarja dhe vendosi të dalë jashtë, atje ku pa se flakët po përfshinin banesën. Sapo ajo doli jashtë, dritaret pranë flakëve shpërthyen nga nxehtësia, ndërsa gruaja vrapoi për të larguar fëmijët dhe për t’i hedhur ujë zjarrit.

“Flakët u bënë shumë të mëdhaja, për një kohë shumë të shkurtër… u habita sesa shpejt u rrit flaka.”-tregoi ajo për median e huaj në SHBA.

Më tutje nëna e dy fëmijëve mori në telefon zjarrfikësit, të cilët shuan flakët. Zjarrfikësit treguan se po të mos ishte për qenin, me siguri nëna e dy fëmijëve do të ishte pa shtëpi, apo akoma më keq…

“Ishte një qen shumë i mirë. Erdhi tek ne dhe filloi të luajë. E ledhatuam ndërsa ai rrinte. Nëse nuk do të ishte për qenin, shtëpia do të ishte ndezur deri në çati, do të na duheshin disa orë për t’i shuar flakët.”-tregoi një prej zjarrfikësve.

Një foto e qenit u përcoll në rrjetin social nga zjarrfikësit dhe prej atje, një ndodhi tjetër… ‘Butter’ në fakt nuk ishte një qen rruge. Ai ishte larguar kohë më parë nga shtëpia e tij në muajt e verës, ndërsa pronarët pas kërkimeve të shumta i kishin humbur shpresat për ta gjetur.

Charity vendosi që ta dorëzojë qenin tek pronarët e tij, duke shijuar me të ato pak ditë të mbetura derisa ‘Butter’ të largohet.

“Ai do të ikë, më vjen të qaj… por edhe jam e lumtur për të. Sikur të mos ishte për ‘Butter-in’, kushedi se çfarë do të kishte ndodhur. Jam shumë mirënjohëse që ky qen erdhi në derën time”-tregoi nëna e dy fëmijëve.