Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja që ndodhi pas mesnate në Tiranë.
Në rrugën “Irfan Tomini”, shtetasi Jurgen Duka (Mëziri), dyshohet në gjendje të dehur, së bashku me shokun e tij shtetasin O. D., kanë hyrë në market dhe pas një debati, ka filluar një konflikt me një shtetas tjetër të pa identifikuar.
Shtetasi i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri ku ka mbetur i plagosur Jurgen Duka, i cili më vonë ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës.
Burime bëjnë me dije për Fax News, se e gjithë ngjarja ka ndodhur brenda marketit. Fillimisht viktima dhe autori janë përplasur me fjalë në një prej rafteve të marketit, ku kishin hyrë të blinin pije alkoolike dhe më pas janë nxjerrë edhe armët.
Kamerat e sigurisë kanë mundur që të fiksojnë momentin e vrasjes, ndërkohë që autori është larguar me një makinë benz. Policia po punon për identifikimin e tij, ndërkohë që prova më e fortë që kanë deri në këto momente janë pamjet e kamerave të sigurisë.
Marketi ku ka ndodhur ngjarja, vazhdonte të qëndronte i hapur edhe pas orës policore, ndërkohë që sipas burimeve shërben si biznes që qëndron hapur gjatë 24 orëve.
Nga verifikimet e kryera rezulton se viktima është person me precedent të mëparshëm kriminal, për veprën penale “Falsifikimi i monedhave” ku në vitin 2016 Gjykata e Apelit Tiranë për këtë vepër e ka dënuar me 8 muaj burg;
Për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Përndjekja” në vitin 2017, është dënuar me 4 muaj burg.
Gjithashtu ky shtetas, në vitin 2013 është proceduar për veprën penale “Mashtrimi” dhe në vitin 2014 është proceduar për “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”./FAXWEB/AL
…
/faxweb
