Skip to content

Basha: Lefter Koka nuk është “peshku i madh”, dua “kokën” e Ramës dhe Ahmetaj

Subscribe

 

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i liderit të opozitës Lulzim Basha pas arrestimit të Lefter Kokës. E konsideruar si një kauzë e opozitës, Lulzim Basha tha se nuk është arrestuar ende peshku i  madh, ndaj ai përmendi emrat e asaj që e cilëson afera më e madhe korruptive.

Nuk ka qytetar shqiptar ta besojë se ky është peshku i madh. E dinë të gjithë se 17 vendime qeverie brenda dite nuk i nxirrte dot një ministër, kushdo qoftë. Emrat e vërtetë që qëndrojnë pas kësaj afere me 400 milionë euro janë ato të Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Erion Veliajt, Klodian Mërtiri, Arben Ahmetaj e surrogateve të tjerë. Sado që nuk ka veprim të plotë, nuk ka drejtësi të plotë për këtë aferë të tmerrshme korruptive, që ka varfëruar edhe më shumë xhepat e shqiptarëve.

Në një dalje për mediat Basha tha gjithashtu se pretendimet e opozitës si dhe komisioni hetimor për këtë kauzë treguan se akuzat ishin të bazuara. Por kreu i PD nuk e konsideron këtë një ditë triumfi për drejtësinë

Nuk mund të themi që sot është një ditë triumfi për drejtësinë, është ndoshta fillimi i një procesi, por që nuk mund të përfundojë pa dhënë përgjigje se çfarë bëhet me kokat e kësaj afere, me kreun e qeverisë. Paratë e kujt po pastronte ministri i Ramës që u arrestua sot? Kjo dëshmon edhe njëherë se PD po e bën këtë betejë për interesat e shqiptarëve, por tregon edhe se fajtorët janë vetëzbuluar para opinionit publik.