Plimton 322 (foto poshtë) është emri me të cilën është pagëzuar kjo tabletë argjile 3800 vjeçare e zbuluar në Irak në fillim të shekullit të shkuar nga arkeologu Edgar J. Banks, njeriu që në fakt besohet se ka inspiruar “Indiana Jones”, personazhin e një filmi të njohur hollivudian.

Por çfarë ka të veçantë kjo tabletë e vogël, e cila i ka rezistuar 3800 viteve, për të mbërritur deri në ditët tona?
BBC ka përcjellë një artikull e kronikë (video) mjaft interesante mbi misterin e tabletit, nga ku matematikanët e shkencëtarët, kanë gjetur shenjat e teoritë matematikore, që sot e prej shekujsh ia atribuojmë Pitagorës së famshëm të Greqisë së Lashtë.
“Plimton 322 është pa diskutim dokumenti matematik më interesant e më i sofistikuar që kemi nga bota e lashtë. Ky tablet na tregon se civilizimet e lashta e kuptonin matematikën shumë më mirë nga çfarë kujtonim ne. Në veçanti, civilizimi i Mesopotamisë kuptonte tripletat e Pitagorës (raste kur teorema e Pitagorës funksionon) në një nivel sofistikimi që ne kurrë nuk e kishim pritur.” -thotë dr. Daniel Mansfield, nga Universiteti i Neë South Ëales, i cili e ka studiuar tabletin e të tjerë dokumente të ngjashme për vite me radhë.
Tableti 3800 vjeçar u gjet nga arkeologu Edgar J Banks i cili më tutje ia shiti objektin një koleksionuesi i quajtur George Plimton. Prej këtu e mori emrin dhe tableti, ndërsa Plimton vetë e dorëzoi artefaktin në Universitetin e Kolumbisë (SHBA) në vitin 1930.

“Në atë kohë, ne nuk e kishim kuptuar sesa i rëndësishëm ishte tableti. Derisa në vitin 1945, kur u zbulua se tableti kishte tripletat e Pitagorës. Kësisoj, tableti është bërë një ndër dokumentet më të studiura në botë.
Historia tradicionale e gjeometrisë nisi në Greqinë e Lashtë, kohë në të cilën astronomët studionin lëvizjen e trupave qiellorë duke përdorur gjeometrinë. Raporti më i famshëm në gjeometri, është raporti mes dy anëve (kateteve) dhe hipotenuzës së një trekëndëshi këndrejtë. Sot ne këtë teori e njohim të gjithë si Teorema e Pitagorës.
Por në të vërtetë, elementë të këtyre njohurive i gjen në historinë e lashtë. 1 mijë vite para se grekët e lashtë të kundronin yjet gjatë natës, kishim babilonas të cilët kishin njohuritë e duhura gjeometrike dhe këto njohuri i vinin në përdorim. Por ata nuk po shohin lart në qiell, përkundrazi po shohin në tokë. Ata me të vërtetë nuk e kishin atë që ne sot e quajmë Teoremë (e Pitagorës), por dinin rastet kur kjo teoremë funksiononte e ishte e saktë”-shpjegon dr. Mansfield.

E pas dekadave të studimit, besohet tashmë se misteri është zbuluar për të mësuar se përse përdorej matematika.
“Një tjetër tabletë, me numër 472, na tregon se aplikimi ka qenë në fakt për të survejuar. Njerëzit në atë kohë vendosnin kufij, kufij shumë shumë të saktë duke përdorur njohuritë mbi gjeometrinë.
Në atë kohë në Babiloni njerëzit kishin filluar të zotëronin tokë private. E kur ke një tokë private, me siguri do të kesh përplasje mes pronarëve se cila pjesë e tokës është e kujt.
Besoj se ka shumë tableta të tjera që presin të gjenden e të deshifrohen. E kur të gjejmë të tjera, besoj se do të mahnitemi, pasi botëkuptimi i babilonasve ka qenë shumë i ndryshëm në krahasim me atë që kemi sot.“-shpjegon dr. Mansfield.

