Skip to content

Kolonët hebrenj sulmojnë shtëpinë e një familjeje palestineze në Bregun Perëndimor

Kolonët hebrenj sulmuan shtëpinë e një familjeje palestineze në Bregun Perëndimor nën pushtim dhe plagosën pronarin e saj.

Semiha Gafri, e cila jeton në fshatin Qaryut pranë qytetit Nablus në veri të Bregut Perëndimor, në një deklaratë për gazetarin e AA-së theksoi se një grup i kolonëve hebrenj sulmuan shtëpinë e tyre rreth orës 03:00 drejt mëngjesit.

Gafri pohoi se kolonët hebrenj ishin ushtarë të ushtrisë izraelite dhe informoi se ata hynë në shtëpi duke thyer derën, dëmtuan objektet dhe goditën bashkëshortin e saj 65 vjeç Vail Mukbil.

Gruaja palestineze u shpreh se grupi i kolonëve në fjalë u largua pas ardhjes së fqinjëve që dëgjuan britmat.

Për shkak të sulmit, bashkëshorti ka tre brinjë të thyera, të nxira në fytyrë dhe është shtruar në spital, deklaroi palestinezja Gafri, e cila shtoi se ushtria ose policia izraelite as që nuk kanë tentuar të hetojnë ngjarjen.

Në Bregun perëndimor nën pushtim sulmet kundër palestinezëve janë gjithnjë në rritje nga kolonët hebrenj, shumica e të cilëve janë të armatosur.

Sipas të dhënave të Zyrës së Çështjeve Humanitare të Kombeve të Bashkuara, që nga fillimi i vitit e deri në mesin e muajit nëntor ndaj pronave të palestinezëve janë regjistruar 427 sulme dhe 115 sulme që kanë rezultuar me plagosje.

Në Bregun Perëndimor, që është nën pushtimin e Izraelit nga viti 1967, ndodhen më shumë se 250 vendbanime ilegale hebreje. Në këto zona jetojnë më shumë se 500 mijë kolonë hebrenj, të cilët e bëjnë edhe më të vështirë jetën për palestinezët që jetojnë në Bregun Perëndimor nën pushtim.

Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebreje që ndodhen në territoret e pushtuara palestineze konsiderohen të paligjshme.