Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, i bëri thirrje Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) të “luajë një rol udhëheqës në mobilizimin e mbështetjes ndërkombëtare për Afganistanin”.
Duke folur në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, në një sesion ekskluziv të OBI-së mbi krizën humanitare në Afganistan, Çavuşoğlu tha se solidariteti me popullin afgan është “një detyrim moral dhe një detyrë fetare”.
“Afro 23 milionë njerëz, ose 60 për qind e popullsisë, po përballen me urinë në Afganistan. OBI duhet të luajë një rol udhëheqës në mobilizimin e mbështetjes ndërkombëtare për Afganistanin. Rezoluta që ne do të miratojmë sot duhet të zbatohet”, tha ai.
Duke renditur tre hapa për zgjidhjen e krizës afgane, Çavuşoğlu tha se përparësia e parë duhet të jetë “koordinimi i ndihmës humanitare”, ndërsa falënderoi Pakistanin për lehtësimin e transferimit të ndihmës humanitare.
Ai shprehu gjithashtu mbështetjen e Turqisë për përpjekjet e Uzbekistanit për ta bërë qytetin e Termezit “një qendër tjetër të OKB-së për ndihmë, veçanërisht për rajonet veriore” të Afganistanit.
“Krijimi i një fondi besimi nga Banka Islame për Zhvillim është një hap në drejtimin e duhur”, shtoi ai.
Duke vënë në dukje se parandalimi i kolapsit ekonomik në Afganistan duhet të jetë prioriteti i dytë, ministri turk tha se sanksionet e vazhdueshme, “për fat të keq, dëmtuan sistemin financiar dhe premtimet do të jenë të pakuptimta nëse këto para nuk arrijnë te afganët”.
“Ne duhet të punojmë për zgjidhje për të zhbllokuar kanalet financiare për zgjidhjen e problemeve të likuiditetit dhe transfertave bankare”, deklaroi shefi i diplomacisë turke.
Duke theksuar “krizën humanitare dhe ekonomike”, rritjen e presionit migrator dhe barrën mbi vendet fqinje, Çavuşoğlu tha: “OBI duhet të punojë me organizata të tjera ndërkombëtare si UNHCR dhe IOM (Organizata Ndërkombëtare për Migracionin) për të mbështetur personat e zhvendosur”.
– Angazhimi me talebanët
Si hap i tretë, Çavuşoğlu tha se “angazhimi me talebanët” do të jetë i nevojshëm për të arritur stabilitet.
“Si vëllezër, ne vazhdojmë të këshillojmë qeverinë në detyrë që të jetë gjithëpërfshirëse, të mbrojë të drejtat e të gjithëve dhe të zgjerojë aksesin e grave dhe vajzave në punësim dhe arsim”, tha ai, duke përshëndetur “deklaratat dhe hapat pozitive” për këtë çështje.
“Kjo do të rrisë legjitimitetin dhe forcën e qeverisë brenda dhe jashtë vendit”, shtoi Çavuşoğlu.
Duke vënë në dukje se “kriza e përkeqësuar” ka ndikuar shumë tek vendet muslimane të Azisë, Çavuşoğlu përshëndeti angazhimin aktiv të vendeve aziatike, si Pakistani, Irani, Uzbekistani, Turkmenistani, Indonezia dhe Malajzia, për çështjen e Afganistanit.
“Ne duhet të bëjmë më shumë dhe të luajmë rolin tonë kryesor si komunitet islam”, tha ministri turk, duke shtuar se një vizitë e përbashkët e ministrave të jashtëm të OBI-së në kryeqytetin afgan Kabul duhet të organizohet për të treguar solidaritet me popullin e Afganistanit.
Para se të përfundonte fjalimin e tij, ai përsëriti gjithashtu “vendosmërinë dhe mbështetjen e Turqisë për të arritur një Palestinë të pavarur” me Kudsin si kryeqyteti i saj.
Çavuşoğlu më vonë u tha gazetarëve se ai ua ka përcjellë rekomandimet e Ankarasë administratës talebane.
– Takimet në margjinat e aktivitetit
Ministri i Jashtëm turk zhvilloi gjithashtu bisedime dypalëshe me homologët e tij në margjinat e aktivitetit.
Ai u takua me ministrin e jashtëm të Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov, me të cilin foli për zhvillimet e fundit në Kaukaz.
Në Twitter, ministri Çavuşoğlu tha se Turqia dhe Azerbajxhani “do të vazhdojnë të veprojnë së bashku në çdo fazë të normalizimit” në rajon.
Po ashtu, Çavuşoğlu ndau gjithashtu një fotografi me homologun e tij pakistanez Shah Mehmood Qureshi në mediat sociale, duke thënë se takimi i ministrave të jashtëm nënvizoi nevojën për të rritur “përpjekjet tona të përbashkëta për të lehtësuar krizën humanitare në Afganistan”.
Ai u takua edhe me ministrin në detyrë të Jashtëm afgan, Amir Khan Muttaqi, dhe diskutoi situatën aktuale në Afganistan.
Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të OBI-së u takuan në Islamabad për të diskutuar krizat në rritje humanitare dhe ekonomike në Afganistan.
Blloku musliman në seancën e jashtëzakonshme ftoi gjithashtu delegatë nga SHBA-ja, Britania, BE-ja, Kina, Rusia, Franca dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
